Pas një periudhe qetësie, grupet kriminale janë riaktivizuar ditët e fundit. Dy atentate brenda ditës tronditën vendin të enjten. Në Lezhë u vra një i moshuar, ndërsa në Tiranë kemi 4 të plagosur, ku dy fëmijë janë duke luftuar me jetën.
Prokuroria e Posaçme ka goditur disa grupe kriminale në vend, por krerët e tyre janë në arrati. Që do të thotë se aktiviteti ndoshta vijon. Por duket se ka dhe grupe të tjera, ku SPAK nuk ka arritur akoma të shkojë. Në raportin vjetor të vitit që lamë pas, për herë të parë SPAK na dha një shifër konkrete mbi grupet kriminale që operojnë në vendin tonë. Sipas verifikimeve dhe të dhënave të prokurorëve janë në total 16 grupe, të shtirë nga Jugu në Veri. Mirëpo vetë SPAK ka goditur vetëm 10 prej tyre, ndërkohë që kemi 6 grupe ende të pa “ngacmuar”.
SPAK ka goditur në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë apo Kukës, mirëpo në qytetet e tjera nuk ka pasur aksione. Këtu mund të përmendim Vlorën, Fierin, etj. Pra janë 6 grupe të tjera në vend që vijojnë aktivitetin dhe pritet që në javët në vijim SPAK të veprojë. Pak ditë më parë pamë që BKH po kryente monitorime në Fier dhe flitet se në fokus është një grup i fortë kriminal.
Vetë Prokuroria e Posaçme njofton se grupet kriminale kanë marrë trajta shumë të organizura, teksa bën me dije se kanë shkuar deri aty sa të bëjnë pjesë të rrethit të tyre dhe njerëz nga bota akademike.
“Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale me aktivitete kriminale në disa qytete të vendit si Tiranë (3); Durrës (2); Elbasan (2); Shkodër (1), Lezhë (1) dhe Kukës (1). Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike”, thekson SPAK në raportin vjetor.
Sipas organit të akuzës, disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si SKY ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave.
Vetë SPAK në raport e pranon se krimi ka lidhje të forta, lidhje që shkojnë deri në nivel politik. Te aksionet që kemi parë deri më tani, nuk ka pasur politikanë të nxjerrë në biseda. SPAK është kujdesur t’i ndajë dosjet dhe flitet që në Shkodër, Elbasan, etj., dalin emra deputetësh. Po ashtu edhe në komunikimet e SKyEcc dalin emra të rëndësishëm. Tani e ka në dorë SPAK ekspozimin e tyre. /Pamfleti