Vetëm disa orë pasi Guvernatori Sejko deklaroi në Kuvend “Po punojmë në bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë të caktojmë një likuidator për MCA dhe Final”, dhjetra agjentë police kanë mësyrë që në mëngjes në zyrat e MCA dhe Final, në kompleksin “Usluga” pranë SPAK.
Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka vendosur sekuestro preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj.) të Micro Credit Albania dhe Final, ndërkohë që një muaj më parë u kishte sekuestruar pronarëve dhe administratorëve, llogari bankare në vlerë 10 milion euro.
Prokuroria ka formuluar për MCA dhe Final, akuzat “Mashtrim me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3 dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 të Kodit Penal.
Këto akuza janë vendosur edhe për përmbaruesit dhe shoqëritë që kanë bashkëpunuar me to. Nga burimet informohemi se janë bastisur e sekuestruar nga prokuroria edhe zyrat e disa përmbaruesve.
Në magazinën e “MCA” janë gjetur me mijëra dosje të vjedhura nga përmbarues privatë, vula përmbarimi, ekspertësh, noterësh, dokumente të qytetarëve të mashtruar etj. Shokues është fakti se MCA dhe Final kanë përdorur të njëjtën “magazinë” për të fshehur të gjithë materialin e vjedhur nga bankat, përmbaruesit, gjykatat.
Tashmë historia e “Kopetentit” të Sudes dhe Gjallicës moderne merr një kthesë krejt të re.
A e ka ditur gjithë këto vite Banka e Shqipërisë se në “magazinën” e MCA dhe Final gjendej një mal me mijëra dosje të vjedhura ku shkruhej fati i mijëra viktimave si Pal Trashaj?
Një burim i pakonfirmuar jep një detaj të pabesueshëm: në magazinë mund të ketë dokumente të mbi 200 mijë njerëzve me një dokumentacion sa dy ministri bashkë…
Policia vuri shiritin tek MCA dhe Final. Nuk dihet ende nëse janë arrestuar mashtruesit apo janë lënë të lirë sa të tregojnë shokët.