Spanja, kampione bote! Argjentina zbret nga froni e Lionel Messi këtë radhë nuk “ndez”

Sport

Publikuar: 20/07/2026

Spanja, kampione bote! Argjentina zbret nga froni e Lionel Messi këtë radhë nuk “ndez”

Spanja është kampionia e re e botës. Kombëtarja e drejtuar nga Luis de la Fuente mposhti 1-0 Argjentinën pas kohës shtesë në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, duke ngritur për herë të dytë në histori trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

Heroi i finales ishte Ferran Torres, i cili në minutën e 106-të përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë Spanjës golin e fitores dhe titullin botëror.

Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe u mbyll pa gola në 90 minutat e kohës së rregullt. Spanja ishte skuadra që krijoi më shumë raste, me Emiliano Martinez që mbajti në lojë Argjentinën falë disa pritjeve vendimtare ndaj Lamine Yamal, Dani Olmos, Ferran Torres dhe Aymeric Laporte.

Momenti që ndryshoi rrjedhën e finales erdhi në minutën e 90+3, kur Enzo Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar, duke e lënë Argjentinën me 10 futbollistë për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Me epërsinë numerike, Spanja shtoi presionin në kohën shtesë. Nico Williams arriti të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 96-të, por goli u anulua për faull, ndërsa pak minuta më vonë Mikel Merino rrezikoi me kokë.

Goli i shumëpritur erdhi në minutën e 106-të, kur Ferran Torres ishte më i shpejti në zonë pas një topi të mbetur dhe mposhti Emiliano Martinez për 1-0.

Argjentina provoi të reagojë në minutat e mbetura, por nuk arriti të krijojë raste për të shmangur humbjen, ndërsa Spanja administroi avantazhin deri në vërshëllimën e fundit.

Me këtë sukses, Spanja fiton Kupën e dytë të Botës në historinë e saj, pas triumfit të vitit 2010, ndërsa Argjentina nuk arrin të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë.

Ferran Torres hyn në historinë e futbollit spanjoll si autori i golit që riktheu “La Roja” në majën e botës.