Emra e lidhje / Karteli i mikrokredive hapi thesin me para. Shpëton koka Olsi Ibro me 10 anëtarë të bandës. Arta Marku dhe Elona Toro lehetësojnë grupin, fijet që kanë kapur gjyqtarët

Krim & Korrupsion

Publikuar: 14/06/2024

Emra e lidhje / Karteli i mikrokredive hapi thesin me para. Shpëton koka Olsi Ibro me 10 anëtarë të bandës. Arta Marku dhe Elona Toro lehetësojnë grupin, fijet që kanë kapur gjyqtarët

Gjykata dhe Prokuroria e Apelit me Elona Toron gjyqtare dhe Arta Markun prokurore ka lehtësuar masat e sigurisë për katër “punëtorë” të kartelit të mikrokredive.

Albert Gega doli nga burgu, me masë sigurie nga “arresti me burg” në “arrest në shtëpi”.

Jordisa Dervishit dhe Alketa Tanushit iu ndryshuan masat nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”. U lirua nga burgu Edmond Mato të cilit iu ndryshua masa nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.

Praktikisht në burg mbeti vetëm Arben Meskuti dhe Aldo Daka, të cilëve nuk iu ndryshuan masat e sigurimit. Meskuti u mbajt në burg si “kolateral” për të gjithë vëmendjen që ka përçuar çështja e mikrokredive.

Elda Ibro u la me masën “arrest në shtëpi”, ashtu si Kejda Seferi “arrest në shtëpi”, por me një ndryshim, Ibro nuk u kap nga policia ditën e arrestimeve ngaqë ishte në Francë.

Alban Kote u la me “arrest në burg” por edhe ky nuk u kap dot nga policia, ditën e narrestimeve, pasi u arratis.

Kujtojmë se arrestimet e bëra në 23 Majin e këtij viti, u kërkuan nga Prokuroria e Tiranës, për një çështje të hetuar shumë gjatë të kallëzuar që në vitin 2020 nga Ministria e Drejtësisë që denoncoi 19 persona dhe disa shoqëri përmbarimi e microfinance, për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Shoqëritë e denoncuara ishin 5, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, Fs, Flash dhe 19 personat e lidhur me skemën e mashtrimit me mikrokredi: Elda Ibro, ortake e MCA, Andis Gjoka, administrator i MCA, Olsi Ibro ish ortak i ADCA, Arben Meskuti administrator i ADCA, Zig, Flash, Yllka Meskuti, ortake dhe administratore e Zig, Flash. Ernela Çuberi, notere e ADCA, Indrit Çuberi, administrator dhe ortak i ADCA, Alban Kote, përmbarues Zig, Aldo Daka, administrator, përmbarues FS, Edmond Mato ortak FS, Roland Deda ortak Zig, Flash, përmbarues FS, jurist ADCA, Jordisa Dervishi, përmbaruese Zig, FS, Flash, Albert Gega, përmbarues, administrator FS, Kejda Seferi, përmbaruese FS, Renato Ziu, administrator ADCA, Mariela Basha, administratore ADCA, Besmir Barxhani, administrator ADCA. Saimir Hajdari, ortak ADCA.

Pas katër vjet hetime “ping pong” nga SPAK në Prokurorinë e Tiranës, kjo e fundit në Maj të këtij viti kërkoi masa sigurimi personal vetëm për 9 nga emrat e kallëzuar nga ministria në vitin 2020. Ndërkohë mbetën jashtë “ciklonit” të prokurorisë 10 emra të tjerë shumë aktivë në mashtrimin disavjeçar, kryesori ADCA.

ADCA që është denoncuar dhjetra herë publikisht dhe Mariela Basha, administratore e kësaj kompanie famëkeqe nuk u prek nga hetimi as nga arrestimet e fundit.

Po kështu “shpëtoi” pronari bedel i ADCA, Saimir Hajdari. Kunati dhe bashkëjetuesja e Arben Meskutit, Indrit Çuberi dhe Ernela Çuberi të dy me rol determinant në skemën e mashtrimit nuk u prekën gjithashtu, edhe pse të dy u raportuan se donin të tërhiqnin 1 milion euro në sportelin e BKT, pranë SPAK.

Media u dezinformua, kur raportoi se u arrestuan administratorët e MCA dhe Final. Dy administratorët e MCA dhe Final, Andis Gjoka dhe Vasil Bakallbashi nuk u prekën fare.

Ata u lanë të lirë të zhdulin dokumenta dhe të vazhdojnë mashtrimet bashkë me Olsi Ibron, kokën e skemës, i lidhur direkt me autoritete të larta të sistemit të drejtësisë. Sipas të dhënave konfidenciale që disponon “Prapaskena”, Olsi Ibro mban “peng” me shantazh personazhe te njohur të sistemit të drejtësisë me milionat e paguara për vite me radhë.

“Stafi” i coptuar i MCA po flet është burim informacioni…tregon për histori brenda kartelit ku hidhen dyshime rreth arrestimeve.

“Po bëhet show… Nuk u kap avokat Alban Kote që është personi që di gjithçka për mashtrimet e Olsit dhe Benit. Albani ka qënë agjent kredie i Prokredit Bank në vitet 2010 derisa sa u caktua me mision që të shoqëronte 80 000 kredi që do blinte MCA në vitin 2015. Pasi u blenë kreditë, Alban Kote u bë përmbarues i Zig dhe përgjigjej për ekzekutimin e tyre. Pasi iu hoq licensa e përmbaruesit në 2017, Olsi e bëri administrator të ADCA, pastaj të MCA ca kohë, pastaj e bëri avokat që punësoi nja 50 avokatë të tjerë për të drejtuar skemën nëpër gjykata. Kote u lajmërua disa ditë para arrestimit, bëri dorëzimet, firmosi ca letra, hoqi dhe mori lekët, u pastrua dhe u zhduk…”- thotë burimi.

Burimi i tha “Prapaskenës”: “Edhe Elda Ibro nuk u kap nga policia ditën e arrestimeve, se ishte në Francë. Ajo jeton prej një viti me 4 fëmijët e saj në një vilë të madhe në Lion. E solli para një jave Olsi të “vuajë” dënimin me arrest shtëpie në Shqipëri se në Francë rrezikonte më shumë….”.

Ministri Ulsi Manja kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës së fundi 9 personazhe të tjerë, përmbarues, avokat, noter të përdorur nga Karteli MCA-Final, për mashtrimin e mijëra shqiptarëve.
Dy ministra drejtësie kanë kallëzuar dy mashtruesit Ibro-Meskuti dy here për katër vjet. Dy prokurori po merren me çorbën e madhe të mikrokredive që gatoi karteli në 8 apo 9 vjet.
Sistemi i drejtësisë është zënë në çark. Si mund të hetohet një çështje me të paktën 100 mijë dëshmitarë?