Gjatë festave të Nëntorit 2022 një grabitje e paprecedentë u krye në Ministrinë e Drejtësisë. Prapaskena mëson se njerëz “të panjohur” thyen derën e arkivës së Ministrisë që ndodhet në katin -1 të godinës dhe grabitën me dhjetra dosje përmbarimi, të gjitha të shoqërisë “Zig”.
Në nëntorin e vitit 2019 Arben Meskuti kishte “dorëzuar” disa thasë me dosje të “Zig” në Ministrinë e Drejtësisë, pasi iu hoq licensa e përmbaruesit. Në ato thasë kishte dosje të blera nga MCA e Olsi Ibros.
Disa ditë më parë ministri Ulsi Manja deklaroi në Komisionin e Ligjeve se “Në Ministrinë e Drejtësisë kam gjetur 6000 dosje të një kompanie përmbarimore private (Zig) të cilës i është hequr licenca. Dosjet i kam gjetur në bodrumet e Ministrisë së Drejtësisë. 6000 dosje!”.
Por ministri Manja nuk ka treguar asnjëherë për skandalin e grabitjes së dosjeve brenda ministrisë. Pas këtij shkrimi me siguri që ministria do të dalë me një justifikim!
Një mëngjes nëntori të vitit 2022, dera e arkivës së ministrisë u gjet nga punonjësit e shqyer. Për herë të parë një ngjarje e tillë ndodh brenda një institucioni të rëndësisë së veçantë si është Ministria e Drejtësisë.
Burime nga brenda ministrisë tregojnë se Policia e rrethoi me shirita arkivën për disa muaj, si skenë krimi, dhe sekuestroi pajisjen Regjistruese (DVR) për kamerat e sigurisë që vëzhgonte brenda ambjenteve të institucionit. Çështja u referua në Prokurorinë e Tiranës, që për dy vjet mban ende të sekuestruara pajisjet elektronike dhe s’ka përfunduar hetimet.
Një element i rëndësishëm që ka dalë nga hetimet është se kamerat e sigurisë së insitucionit ishin fikur në ditën e ngjarjes. Rrethi i personave të dyshuar fillon me punonjësit e arkiv-protokollit që menaxhonin mjediset e arkivës dhe bazën materiale që ndodhej brenda saj. Dyshimet bien mbi punonjësen A.A që mund të ketë bashkëpunur me Arben Meskutin dhe Olsi Ibron në grabitjen e dhjetra dosjeve të shoqërisë “Zig”. Dosjet e grabituara mendohet se i përkasin një kategorie biznesmenësh që kishin kredi te bankat Societe General Bank, Banka Kombëtare Greke (NBG), Alpha Bank dhe Union Bank.
Për të kuptuar përmasat e grabitjes që u mbajt “sekret”, Ulsi Manja dha urdhër në shtatorin e vitit 2023 të bëhej një inventarizim i dosjeve të “Zig” që ndodhej në arkivën e “shqyer” një vit më parë.
Inventarizimi i pazakontë u krye nga 100 punonjës të shërbimit të provës dhe burgjeve brenda një jave dhe mendohet se ka nxjerrë me dhjetra dosje biznesmenësh që mungojnë. Inventari u mbajt sekret për të fshehur përmasat e skandalit.
Burime nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se dyshohet që grabitja është vepër e Meskutit dhe Ibros që kanë zhdukur dosje të tëra që i shërbejnë një hetimi tjetër të nisur nga Prokuroria e Tiranës në 2020. Hetuesit dyshojnë se dosjet e grabituara janë provat që do faktonin aferën e madhe të kredive të blera në vitin 2015 nga MCA kur banka Societe General Albania dhe Tirana Bank drejtoheshin nga Guvernatori Gent Sejko dhe gruaja e tij Elona Sejko (Gjipali).
Grabitja me kapuç në kokë e dhjetra dosjeve brenda Ministrisë së Drejtësisë është një nga skandalet më të mëdha që ka përfshirë institucionet e shtetit shqiptar në dekadën e fundit.
Afera e kredive të këqija dhe skema MCA, me protagonistë Guvernatorin Sejko dhe kartelin Ibro-Meskuti, këtu merr një kthesë të re. SPAK mund të sekuestrojë godinën e Ministrisë së Drejtësisë për të gjetur gjurmët e krimit.
Pyetje pa përgjigje mbeten ende pezull që nga viti 2018 deri sot.
Përse u la Arben Meskuti të bëjë “kasaphanë” financiare me shoqërinë përmbarimore “Zig” (L02110003A) deri në 2018?
Po më pas si u lejua të blejë për 1 milion euro institucionin e mikrokredisë “Final” (K81311012P)?
Si arriti të mashtrojë qindra mijëra fatkeqë që morën kredi tek “Iute Albania” për t’u blerë më pas nga “Final”?
Si u grabitën dosjet e “Zig” brenda Ministrisë së Drejtësisë në 2022?
Çfarë lidhjesh ka ky “magjistar” brenda Prokurorisë së Tiranës që për 10 vite ka mbyllur 58 çështje penale?
SPAK është para një sprove të vërtetë. Përballë ka bankierë me kapuç në kokë!
Mund të lexoni