U arrestua me ”mbretin” ekuadorian të drogës, Artur Rrapaj zbërthen mafian shqiptare dhe kartelin “Nueva Generación“

Aktualitet

Publikuar: 13/02/2023

U arrestua me ”mbretin” ekuadorian të drogës, Artur Rrapaj zbërthen mafian shqiptare dhe kartelin “Nueva Generación“

Artur Rrapaj, shqiptari i arrestuar pak ditë më parë në Ekuador ka folur për marrëdhënien e bandës Nueva Generación(Gjenerata e Re) me mafian shqiptare.

Lideri i kartelit të vetëquajtur Nueva Generación Ecuador, Wilder Emilio Sánchez Farfán, alias Gato Farfán u arrestua në Pasto, Kolumbi. Në të njëjtën kohë, disa bastisje u kryen në Ekuador. Agjentët mbërritën në pronat ku supozohej se banonte me alias ‘Gato’.

Në një pronë në Samborondón, në Guayas, efektivët arrestuan një shqiptar. Shqiptarit iu sekuestruan telefona satelitorë, pajisje GPS dhe 319 mijë dollarë cash. Prokuroria po e procedon për pasurim të pajustifikuar privat.

Hetuesit kanë zbuluar se mafia shqiptare që vepron në Guayas punon me Kartelin e Gjeneratës së Re. Në mediat ekuadoriane thuhet se prania në Ekuador e Rrapajt, një shqiptari me precedentë penalë në Shqipëri dhe me pasaportë të skaduar 10 vite më parë, nuk është befasuese. Përkundrazi, konfirmon disa hipoteza që studiuesit kanë zhvilluar.

Mafia Shqiptare që nga vitet 2000, ka dërguar emisarë në Amerikën Latine. Konkretisht në Meksikë, Ekuador, Kolumbi dhe Peru. Qëllimi është blerja e kokainës me një çmim të ulët, sipas një hetimi të InsightCrime. Një burim policor i tha PRIMICIAS se shqiptarët, me bazë në Ekuador, adoptojnë profilin e biznesmenëve të lidhur me eksportet e ushqimit.

Kontakti me Sinaloan

Shtetet e Bashkuara e lidhën Sánchez me meksikanin Miguel Ángel Valdez. Ky, nga ana tjetër, ishte ndërmjetësi i tij me kartelin Sinaloa, të udhëhequr nga Ismael ‘El Mayo’ Zambada. Në shtator 2022, qeveria meksikane zbuloi se ‘El Mayo’ Zambada kishte qenë aleat me mafian shqiptare. Konkretisht me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa. Përveç krijimit të rrugëve të drogës për në Evropë, shqiptarët bashkëpunojnë me Sinaloan në pastrimin e parave. Sipas një investigimi të gazetës El Universal de México, kjo strukturë menaxhon një rrjet kazinosh dhe biznesesh. Përmes këtyre qendrave pastrohen miliona euro nga krimi i organizuar.

Prokuroria Kolumbiane e lidhi Sánchez-in me të ashtuquajturin Klan Devesa. Kjo është një organizatë kriminale spanjolle e dedikuar për pritjen dhe shitjen e drogës në portet evropiane. Me fjalë të tjera, Karteli Nueva Generación, i komanduar nga ‘Gato’, arriti të krijojë një strukturë narko-kriminale me lidhje me: Meksikën (kartelet Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación). Kolumbi (Oliver Sinisterra Front). Evropa (Mafia Shqiptare dhe Klani Devesa).