Fatmir Xhafaj, ish-drejtuesi i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, e konsideroi “histori suksesi” atë që u ngjiz 10 vjet më parë, në një Parlament që ishte më shumë nën trysninë e partnerëve ndërkombëtarë për të shënuar “plus” në listën e tyre të gjërave që kishin marrë përsipër, se sa të pastër në vullnetin e tyre për t’i dhënë shqiptarëve një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe llogaridhënës.
Për të kuptuar hipokrizinë e Xhafajt dhe të gjithë atyre që e mbështesin filozofinë e tij, mund të mjaftojnë vetëm pak rreshta nga raportet vjetore për vitit 2025 të institucioneve të “Drejtësisë së Re”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor: “Vonesat e zgjatura në shqyrtimin dhe përfundimin e çështjeve nuk përfaqësojnë thjesht një problem procedural, por reflektojnë kufizime strukturore në aftësinë e sistemit për të garantuar akses real dhe në kohë në drejtësi”.
Gjykata e Lartë: “Në fillim të vitit 2025, Gjykata e Lartë ka hyrë me një stok dosjesh (backlog) prej 20,888 çështjesh në pritje të gjykimit, duke reflektuar një stok të konsiderueshëm të trashëguar nga vitet e mëparshme…”.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm: “Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka hyrë në vitin 2025 me një stok prej 41,700 çështjesh në pritje të gjykimit, duke reflektuar një nivel të lartë të backlog-ut strukturor… “Koha mesatare për shqyrtim e një dosje civile është nmbi 6 vite (2318 ditë), ndërsa për çështje panel 920 ditë mesatarisht, afate që mbeten shumë të lartë…”.
Gjykata Administrative e Apelit: “Në fillim të vitit 2025, Gjykata Administrative e Apelit ka hyrë me një stok të akumuluar prej 23,862 çështjesh në pritje. Afati mesatar për shqyrtimin e dosjeve është 2.634 ditë (rreth 7.2 vite)…”.
Prokurori i Përgjithshëm: “Ndër sfidat kryesore të periudhës ka qenë edhe zgjatja e proceseve penale dhe ngarkesa e lartë si pasojë e vakancave të krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar (Vetingut)…”.
Përballë këtyre raportimeve, Xhafaj, i cili aktualisht drejton Komisionit Parlamentar të Nismave Qytetare dhe Mbikqyrjes së Institucioneve, lëshoi kritika të forta ndaj titullarëve të tyre, duke vlerësuar se nuk po tregoheshin efikas.
Pra, për Xhafaj, ai kishte të drejtë, ndërsa të gjithë të tjerët ishin gabim dhe jo shumë të aftë për të përmbushur detyrat e tyre funksionale. Disi paradoksale, por kjo ishte ajo që ndodhi gjatë javëve të fundit në Komisionin e tij.
Ai është i bindur se Reforma është “histori suksesi”. Në fakt, ka një “sukses” në të gjithë këtë histori-është “rehatimi” i Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, të gjithë bashkëpunëtorë të ngushtë të Fatmir Xhafaj, në piramidën e sistemit gjyqësor.
Janë emra, të cilët, në variantin e parë të Reformës, nuk duhet të përfitonin poste në “Drejtësinë e Re”. Por, një modifikim i momentit të fundit, e shmangu këtë ndalim, duke u krijuar autostradën e këtyre personazheve që të merrnin kontrollin e sistemit.
Ekspertët e rehatuar
Në internet gjendet akoma aktive faqja e hapur në vitin 2016, me emërtimin “Reforma në Drejtësi”. Në krye të saj gjendet slogani: “Në mos sot, kur. Në mos ne, kush?” Natyrisht, ata “ne”, pra maxhoranca socialiste dhe ekspertët e Nivelit të Lartë e bënë Reformën në Drejtësi, ashtu siç e dëshironin vetë.
Pas “lodhjes”, të gjithë emrat e ekspertëve u rehatuan në krye të “Drejtësisë së Re”
– Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë
– Ilir Panda, zv.Kryetar i Gjykatës së Lartë;
– Gent Ibrahimi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese;
– Marjana Semini, anëtare e Gjykatës Kushtetuese;
– Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës;
– Ardian Dvorani, (ish) kryetar në detyrë i Gjykatës së Lartë, aktualisht drejtues i Gjykatës së Apelit Administrativ;
– Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës;
Krahas tyre, dashamirësia politike e maxhorancës u krijoi “rehati” edhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit-KPK dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit-KPA (strukturat e Vetingut);
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Genta Bungo Tafa, ish-drejtuese e KPK-së, aktualisht Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, emëruar në Parlament vetëm me votat e socialistëve;
Olsi Komici, ish-anëtar i KPK-së, aktualisht deputet i Partisë Socialiste;
Pamela Qirko, ish-drejtuese e KPK-së, njëkohësisht motra e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e propozuar për t’u emëruar si titullare e Agjencisë Shtetërore të Sigurimit të Depozitave;
Roland Ilia, ish-drejtues i KPK-së, kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese;
Roland Ilia, ish-anëtar i KPK-së, kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese;
Kolegji i Posaçëm i Apelimit
Pesë nga shtatë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (shkalla e dytë e Vetingut) u emëruan gjyqtar në Apel, në përfundim të mandatit të tyre 9-vjeçar, në qershor 2026.
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi sistemin në nivel Apeli të ish-anëtarëve të KPA-së: Ina Rama, Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla dheMimoza Tase.
Përveç këtyre emrave, edhe një mori individësh që shërbyen si ndihmës të Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi në vitin 2016, u emëruan në poste kyçe shtetërore e administrative. Ndër ta veçohet Etilda Gjonaj, e cila mbajti për disa kohë postin e Ministrit të Drejtësisë. Të tjerë personazhe janë shpërndarë në hierarkinë e lartë administrative, përfshirë drejtorë kabinetesh, sekretarë të përgjithshëm, etj.
Për këta, Reforma në Drejtësi ishte sukses, siç pretendon Fatmir Xhafaj.
/Boldnews