Dora e Bashkim Ulajt (Ardit Metaliaj) tendera me letra false, si u kap duke vjedhur me Rexhë Byberin me dosje në SPAK dhe Reida Kashtën e APP-së

Investigim

Publikuar: 28/08/2022

Dora e Bashkim Ulajt (Ardit Metaliaj) tendera me letra false, si u kap duke vjedhur me Rexhë Byberin me dosje në SPAK dhe Reida Kashtën e APP-së

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) është treguar shumë tolerante me kompaninë ndërtuese “4-AM”, duke mos marrë asnjë masë administritive, megjithëse Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se shoqëria private kishte deklaruar të dhëna të rreme për të fituar një tender me vlerë mbi 3 milionë euro për rikonstruksionin e disa rrugëve në Tropojë.

(Kompania 4-AM ka si administrator dhe pronar Ardit Metaliajn, i cili konsiderohet si një nga maskat e oligarkut Bashkim Ulaj, përfitues i madh i parave publike me kompani fantazmë, klientelizëm, dallavere, blerje të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të qeverisë.)

Në 10 Qershor 2022, APP, nën drejtimin e Reida Kashta, ka vendosur të mos përjashtojë operatorin ekonomik “4-AM” nga e drejta për të fituar kontrata publike, pasi “nuk ndodhemi në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”.

Qëndrimi i Agjencisë së Prokurimit Publik është tërësisht i kundërt me gjetjet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në Shtator të vitit 2020, Bashkia e Tropojës, e drejtuar nga Rexhë Byberi, shpalli tenderin “Rikonstruksion i 5 segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë”, me fond limit 343,905,073 lekë të reja ose mbi 3 milionë euro.

Në tender marrin pjesë dy konkurentë, njëri prej të cilëve u skualifikua pasi kishte paraqitur ofertë zero lekë, duke krijuar dyshimet se është përfshirë fiktivisht në garë.

Tenderi fitohet nga bashkimi i operatorëve “4-AM”, “Florida” dhe “Vllaznimi”, me ofertë 340. 421.901 lekë të reja ose sa rreth 99 përqind e fondit limit.

Për këtë tender janë ngritur më herët dyshime publike, pasi pronari i një prej kompanive fituese është i afërm i kryebashkiakut të Tropojës.

Kjo procedurë, si edhe disa të tjera të zhvilluara nga Bashkia e Tropojës, ishin pjesë e një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të përfunduar vitin e kaluar.

Shkelje dhe kallëzime

KLSH zbuloi shkelje të shumta në tenderin mbi 3 milionë euro dhe, në nëntor të vitit 2021, kallëzoi në SPAK kryebashkiakun e Tropojës, si edhe 8 zyrtarë të tjerë të institucionit në Prokurorinë e Tropojës.

Në njoftimin mediatik, KLSH theksonte se “janë konstatuar veprime apo mosveprime..për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë…”.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin e ka konsultuar “Boldnews.al”, evidentohen edhe shkelje nga ana e shoqërisë “4-AM”, e cila rezulton pjesë e bashkimit të operatorëve fitues.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk e ka konstatuar faktin se ky Operator Ekonomik (4-AM) ka paraqitur deklarim të rremë në këtë procedurë prokurimi. Mosveprimi i KVO për paraqitjen e deklarimit të rremë, nga ana e OE “4-AM” shpk, është në papajtueshmëri me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 47, “S`kualifikimi i ofertuesve”, në të cilin kërkohet sa vijon: “AK s`kualifikon çdo kandidat ose ofertues, që paraqet të dhëna të rreme, për qëllime kualifikimi, në çdo kohë, deri në fazën e shpalljes së kontratës fituese. AK për çdo s`kualifikim raporton APP, për qëllimet e parashikuara në nenin 13, pika 3 e këtij ligji”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në foto: KLSH konstatoi shkelje në dokumentacionin e kompanisë “4-AM” shpk.

Pra, duket qartë që KLSH ka konstatuar shkelje nga ana e kompanisë private dhe ia ka përcjellë rastin Agjencisë së Prokurimit Publik, si institucioni përgjegjës për marrjen e masave ndaj shoqërive tenderuese.

APP “fal” kompaninë

Agjencia e Prokurimit Publik, megjithëse e ka pasur materialin e gatshëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka arritur në një konkluzion tërësisht të ndryshëm.

Në vendimin e datës 10 qershor 2022, APP shkruan se “në përfundim të procedimit administrativ, u arrit në konkluzion se nuk ndodheshim në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”.

Në foto: Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik për mospërjashtimin e kompanisë “4-AM” nga tenderat publikë

Për këtë arsye, APP “ka vendosur të mos përjashtojë kompaninë ‘4-AM’ nga e drejta për të fituar kontrata publike”.

Bazuar në të dhënat zyrtare, shoqëria “4-AM” është një prej përfitueseve kryesore të tenderave në kuadër të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si edhe kontratave të tjera publike me institucionet shtetërore. / Boldnews