Drejtori i Doganave Gent Gazheli akuzon Irfan Hysenbelliun për gjobëvënie dhe shantazh, sipas tij me qëllim për të mos zbatuar ligjin fiskal ndaj bizneseve të Fanes dhe rrethit të tij. Gazheli, i cili në fakt ështê një nga zyrtarët më të lakuar për afera, thotë se presione të tilla i ka rutinë dhe se nuk lëkundet nga Fania.
Por edhe Fania është i lakuar si grabiqar, gjoba dhe pazare. Ndaj duket se kemi të bëjmë me një luftë mes klaneve të interesave.
“Dua të ndaj me publikun dhe aktorët e interesit që shërbehen nga dogana shqiptare, se sulmi mbi mua nga një media e caktuar, vjen menjëherë pasi një biznes i pronarit të medias në fjalë është gjobitur për evazion fiskal. Mbase kjo është koinçidencë, por ky sulm mbi një çështje të pretenduar si problematike të vitit 2016 dhe mbi persona që punojnë në doganën shqiptare prej shumë vitesh, targeton personin tim pa asnjë fakt apo provë. Ndërkohë edhe për vetë çështjen, ne nuk disponojmë asnjë letër zyrtare lidhur me ndonjë hetim jashtë apo brenda vendit. Shantazhet dhe gjobat mediatike të sponsorizuara nga interesat e prekura prej ligjzbatimit fiskal, janë rutinë për mua. Unë punoj për shtetin dhe askush nuk më lëkund dot në kryerjen e detyrës“, shkruan Gazheli.
Nga ana tjetër, media e Fanes ‘News 24’, shkruan se: “Superskandal me doganat shqiptare. Drejtori i përgjithshëm Genti Gazheli ka promovuar në detyrë zyrtarë të cilët po hetohen për kontrabandë dhe krim të organizuar nga drejtësia Greke. Artur Sejati me detyrë aktuale, drejtor i hetimit doganor rezulton se është në ndjekje penale nga drejtësia greke, pasi në bashkëpunim me katër persona të tjerë janë ndaluar nga policia në 30 qershor të vitit 2016, teksa shoqëronin dy kamionë me mallra të grabitura në vendin fqinj. Mbi të rëndojnë akuza të rënda si ajo e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, vjedhje në bashkëpunim me shuma të rënda dhe kontrabandë. Për t’u theksuar është se në kohën e këtij krimi ai dhe tre të akuzuar të tjerë ishin zyrtarë të doganave shqiptare”.