Prapaskena

Lirimet e VIP-ave nga burgjet, dënohet me tre vite burg ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha

Publikuar: 14/02/2022

Ish-gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha është dënuar nga kolegët e saj të Gjykatës së Posaçme me 3 vite burg nga të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 2 vite heqje lirie.
Ish zyrtarja e gjykatës së Krujës është akuzuar për korrupsion në skandalin e lirimeve nga burgjet duke nxjerrë para kohe në liri njëri pas tjetrit disa personazhe të njohur të krimit në vend.
Togat e zeza kanë vendosur dënojë me 4 vite burg avokatin Aldo Tabaku, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do te vuaje 2 vite e 8 muaj burg. Me 3 vite burg u dënua edhe ish kryesekretarja e gjykatës së Krujës Manuaela Mallkuçi, e cila do te vuaje 2 vite heqje lirie. Ndërsa për të dënuarit e tjerë gjykata dha dënime nga 2.6 vite të cilat pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar do të vuajnë nga 1.8 vite burg.
Enkeleda Hoxha së bashku me 10 persona të tjerë u arrestua gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar pasi u akuzua se ka liruar nga burgu persona të rrezikshëm të dënuar me burgim të përjetshëm si Indrit Doklen, Genc Tafilin dhe Hekuran Billën (biznesmen i ekzekutuar tek komuna e parisit në Tiranë disa muaj pas lirimit nga burgu). Sipas prokurorisë skema funksiononte përmes avokatit Aldo Tabaku që kryente rolin e ndërmjetësit për të burgosurit e burgut të Fushë-Krujës. Sekretarja e gjykatës, Manuela Mallakuçi merrte përsipër të fiksonte shortin, në mënyrë që çështjet të kalonin tek gjykatësja Enkelejda Hoxha. Ndërkohë mjeku i arrestuar Shkëlqim Korbi, sipas prokurorisë firmoste raportet false për të burgosurit në mënyrë që ata të përfitonin lirimin nga qelitë para përfundimit të kohës së plotë të dënimit.



Më të lexuarat