Ami Kozeli në “rrugën” e Gjylit dhe Berberit – A janë të paracaktuar 2 tenderat 32.4 milionë euro për Kombinat – Plepa?!

Kryesore

Publikuar: 17/07/2026

Ami Kozeli në “rrugën” e Gjylit dhe Berberit – A janë të paracaktuar 2 tenderat 32.4 milionë euro për Kombinat – Plepa?!

Dy procedura të majme për ndërtimin e segmentit rrugor nga zona e Kombinatit në Tiranë drejt zonave të Plepave në Durrës, dyshohet se janë të paracaktuar, duke vijuar “trashëgiminë” e pothuajse të gjithë tenderave që janë zhvilluar disa kohë më parë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku dy ish-drejtues janë vënë nën akuzë.

Aktualisht, ARRSH-ja drejtohet nga një ish zyrtar i lartë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ami Kozeli, teksa me veprimet apo mosveprimet e tij, Kozeli po ndjek me fanatizëm “rrugën” e Evis Berberit dhe Gentian Gjylit, i pari i hetuar me masë sigurie arrest me burg dhe i dyti nën hetim e gjykim me masë sigurie arrest shtëpie.Ka dyshime se “urdhrat” për këtë drejtues të lartë të ARRSH-së jepen nga zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë, të cilët kanë bërë një skemë për zhvatjen e miliona eurove nga arka e shtetit, duke i kanalizuar fillimisht në arkat e firmave private dhe më vonë, ndoshta të tyre, apo të njerëzve të afërt.

Hetimet e SPAK-ut kanë nxjerrë zbuluar një mori emrash, teksa drejtori i ri, Ami Kozeli, rrezikon një hetim të ngjashëm, duke qenë se po vepron në të njëjtën mënyrë.

Në redaksinë e Vox News kanë mbërritur informacione, të shoqëruara edhe me dokumente, se Ami Kozeli po vepron njësoj si Gjyli, Berberi apo edhe Verdho, me tenderat e ARRSH-së, duke paracaktuar fituesit, teksa procedurat bëhen vetëm formalisht.

Të dhënat e analizuara nga redaksia jonë flasin se plot 32.4 milionë euro të akorduara për 2 lotet e rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa janë të paracaktuara, teksa në radhët e vetë ARRSH-së apo të firmave të tjera dihet se kush është fituesi.

Ami Kozeli në “rrugën” e Gjylit dhe Berberit – A

Faksimile: Njoftimi i shpalljes për lotin 2 të rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, me vlerë 12.5 milionë euro

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Kozeli ka firmosur me shpejtësi bërjen e dy tenderave të radhës për ndërtimin e këtij segmenti, konkretisht të lotit 2 dhe 3.

Nëse më parë procedurat bëheshin një e nga një, Kozeli s’ka pritur shumë gjatë, por i ka hapur të 2 njëkohësisht, teksa fituesi do të shpallet në fillim të muajit gusht 2026.

Koha e shpalljes së fituesve përkon me ditë pushimi për administratën shtetërore dhe atë private. Jo më kot është zgjedhur ajo datë (3 gushti), larg syrit të kureshtarëve apo edhe të vetë gazetarëve.

Mësohet se, të dy tenderat kanë një vlerë prej 27.019.039 euro, ku nëse do t’i shtojmë edhe TVSH-në, shuma shkon në plot 32.422.846 euro.

Vox News ka mësuar edhe emrat e firmave që janë paracaktuar për t’i fituar, teksa do të ketë një bashkim operatorësh, madje edhe kompani nga vendet e rajonit, me synimin se “kemi hapur garën”. Por kur dihet fituese para se të hapet zarfi, a mos vallë kemi shumë vepra penale?

Nëse në këtë grup bashkëpunojnë shumë zyrtarë e firma, a kemi veprime në kuadër të grupit kriminal?

Është përdorur një skemë e mirëfilltë për të paracaktuar këto tendera, duke futur formalisht disa emra të rinj, që do të bashkëpunojnë me të vjetrit, ndërsa fundi i tyre dihet gjithmonë, mbulesa të vetë zyrtarëve apo prestanome të kompanive nën akuzë e që kanë përfituar vazhdimisht nga paratë publike shqiptare.

Një nga procedurat e shpallur nga ARRSH është “rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 2”, me një fond prej 1,177,556,901 ose 12,523,204 euro. “Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është datë 03.08.2026 në orën 11:00” thuhet në këto letra.

Ami Kozeli në “rrugën” e Gjylit dhe Berberit – A

Faksimile: Shpallja e njoftimit për hapjen e tenderit për litin e tretë të ndërtimit të rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa

Në të njëjtën kohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë, sërish për të njëjtin segment.

Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit për procedurën “rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 3”, me një fond limit prej 1,364,927,749 lekë ose 14,495,834 euro.

Kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 24 muaj, teksa sërish afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është datë 03 gusht 2026.

Dokumenti mban firmën e drejtorit Ami Kozeli, i cili duket se do të sakrifikojë ditët e pushimit vetëm e vetëm që të firmosë këto tendera të rëndësishëm.

Emrat me shumë mundësi duhet t’i ketë dëgjuar në korridoret e ARRSH-së, teksa nëse do të surprizohet ose jo kjo mbetet për t’u parë, por fakti se në atë ditë do të vendosë fatin e 32.4 milionë eurove, është tepër e dyshimtë.

Gjithmonë veprat penale faktohen fillimisht dhe ngre akuzë prokuroria dhe më vonë vendos gjykata nëse ka fajtor, teksa për këto procedura duhet që institucionet ligjzbatuese të nisin verifikimet, pasi veprat penale janë me “thasë”.

Nëse Kozeli do të ketë fatin e Gjylit apo Berberit kjo mbetet për t’u parë, por nëse do të paracaktosh 32.4 milionë euro, këtu kemi të bëjmë me një grup të mirëfilltë kriminal.

/Voxnews