Është marrë vendimi tashmë…

Analizë

Publikuar: 18/07/2026

Është marrë vendimi tashmë…

Nga Ylli Manjani

Përtej debateve që bëjmë ne me njëri-tjetrin, debate që nuk përtojmë t’i eksportojmë edhe në Europë, duket se vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është marrë tashmë. Ajo që po zhvillohet sot është më shumë procedura e domosdoshme për të mbërritur te vendimi formal. Si në ato rastet kur aplikon për një vend pune vetëm për të respektuar procedurën, ndërkohë që punën e ke marrë prej kohësh.

Kjo nuk do të thotë se standardet nuk kanë rëndësi. Por do të thotë se vendimet e mëdha gjeopolitike nuk merren vetëm duke numëruar standarde. Po të ishte vetëm çështje meritash, Shqipërisë do t’i duheshin jo katër apo pesë vjet, por ndoshta edhe tridhjetë të tjera për të arritur një pjesë të standardeve që kërkon një demokraci e konsoliduar europiane.

Vendimi është politik. Është strategjik. Është marrë nga ata që vendosin.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh.

Njësoj ndodhi edhe me anëtarësimin në NATO. A i kishim plotësuar vallë të gjitha kushtet? Jo. Madje as sot nuk mund të thuhet se i kemi përmbushur të gjitha standardet që lidhen me funksionimin e shtetit. E megjithatë u bëmë anëtarë. As tragjedia e Gërdecit nuk e ndaloi atë proces.

Prandaj procesi i sotëm me BE-në ngjan si dy pika uji me atë të NATO-s.

Merita jonë më e madhe është, në fund të fundit, trashëgimia. Kemi lindur në një vend që ndodhet gjeografikisht në Europë dhe që, për arsye historike e strategjike, konsiderohet pjesë e projektit europian. Është pak a shumë si ai fëmija që trashëgon pronën e prindërve. Nuk e ka ndërtuar ai, por është përfitues i saj.

Për pjesën tjetër, le të mos ushqehemi me iluzione.

Përderisa Bashkimi Europian vazhdon të jetë vendi ku shqiptarët duan të emigrojnë për një jetë më të mirë, është e vështirë të thuhet se anëtarësimi ynë po vjen sepse kemi arritur standardin europian të jetesës, të institucioneve apo të shtetit ligjor. Propaganda mund ta thotë këtë çdo ditë, por realiteti është më kokëfortë.

A kanë rol udhëheqësit politikë në këtë histori?

Sigurisht që po.

Por jo aq sa pretendohet.

Merita e tyre është të krijojnë marrëdhëniet e duhura, të fitojnë besimin e partnerëve dhe të dinë të tërheqin, në momentin e duhur, formularin e aplikimit. Marrëdhëniet personale dhe diplomatike kanë peshë. Ashtu siç patën peshë marrëdhëniet e Sali Berishës me administratën Bush në procesin e anëtarësimit në NATO, po aq peshë kanë sot marrëdhëniet e Edi Ramës me burokracinë e Brukselit dhe me drejtuesit politikë të vendeve europiane.

Edhe kjo është një meritë dhe nuk ka arsye të mohohet.

Madje, për këtë pjesë, duhet të jemi mirënjohës.

Por pikërisht këtu mbaron merita personale e kujtdo.

Pjesa tjetër është produkt i një zgjedhjeje strategjike të Europës dhe i faktit që Shqipëria është pjesë natyrore e kontinentit europian.

Në këtë këndvështrim, debati ynë i pafund nëse Shqipëria është narkoshtet, regjim, apo vend i zhytur në korrupsion, ka shumë më tepër vlerë për konsum të brendshëm sesa për vendimin strategjik të Bashkimit Europian. Jo sepse këto probleme nuk ekzistojnë, por sepse ato nuk janë më faktori përcaktues i zgjedhjes gjeopolitike që Europa ka bërë.

Ndoshta nuk na pëlqen ta pranojmë.

Por është më e ndershme të pranojmë realitetin sesa të vazhdojmë të ushqejmë propagandën e pafundme, sipas së cilës njëra palë po na fut në Europë me heroizëm, ndërsa pala tjetër po na nxjerr prej saj me katastrofizëm.

Ndoshta është koha të kuptojmë se vendimi është marrë tashmë. Tani po plotësohen formularët. Dhe, sa më shpejt ta pranojmë këtë, aq më pak energji do të humbasim në një debat politik që shpesh prodhon më shumë zhurmë sesa kuptim.