Policia e Sarandës ka arritur të identifikojë 3 autorët e dyshuar të kanosjes dhe goditjes së oficerit të Policisë Mihal Velço, mbrëmjen e së enjtes në Sarandë. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për tre persona me precedentë penalë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Të dyshuarit janë identifikuar si Andrea Rubati, 27 vjeç, Antonio Lefteri, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së enjtes, në lagjen nr. 4, pranë restorantit “Lindi”, në Sarandë. Sipas policisë, shtetasi Mihal Velço, 32 vjeç, oficer policie në Komisariatin e Policisë Sarandë, ka njoftuar sallën operative se tre persona që lëviznin me motomjete e kishin goditur për shkak të detyrës dhe e kishin kanosur me thikë, duke tentuar ta godisnin pasi ai u ishte prezantuar si punonjës policie dhe u kishte kërkuar të mos kryenin manovra të rrezikshme në qytet.
Menjëherë pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar me shpejtësi me motomjetet e tyre. Pas informacioneve të siguruara dhe pamjeve filmike të administruara, policia ka bërë të mundur identifikimin e tre personave të dyshuar.
Sipas burimeve zyrtare policore, oficeri i Policisë Mihal Velço është paraqitur pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ka depozituar kallëzim penal në lidhje me ngjarjen.
Me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar, gjatë natës janë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente ku dyshohej se mund të fshiheshin personat e shpallur në kërkim.
Kontroll është ushtruar në banesën e Andrea Rubatit, në rrugën “Mithat Hoxha”, Sarandë, por aty është gjetur vetëm nëna e tij dhe nuk është bërë e mundur kapja e tij. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e gjyshit të tij, shtetasit M. L., në fshatin Livadhja, Bashkia Finiq, por edhe aty nuk është gjetur.
Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Antonio Lefterit, në rrugën “Skënderbej”, Sarandë, ku ndodheshin prindërit e tij, por nuk është bërë e mundur gjetja e këtij shtetasi. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është kontrolluar edhe banesa e Engjëll Dalanajt në rrugën “Onhezmi”, ku nuk është gjetur asnjë person.
Tre shtetasit e shpallur në kërkim dyshohen për kryerjen e veprave penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 237 dhe 84 të Kodit Penal.