“Sori-Al”: Dy muaj akuza. Përfundimi zyrtar tregoi se studentët e Akademisë së Sigurisë nuk u helmuan nga ushqimi

Kryesore

Publikuar: 17/07/2026

“Sori-Al”: Dy muaj akuza. Përfundimi zyrtar tregoi se studentët e Akademisë së Sigurisë nuk u helmuan nga ushqimi

Kompania e kateringut SORI-AL ka reaguar pas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të lejuar vijimin normal të aktivitetit të saj, pas kontrolleve të kryera lidhur me dy episodet e raportuara me shqetësime shëndetësore te studentët e Akademisë së Sigurisë.

Në një deklaratë publike, kompania pretendon se për më shumë se dy muaj është përballur me akuza për një “helmim masiv ushqimor”, ndërsa verifikimet zyrtare, sipas saj, nuk kanë konfirmuar një lidhje mes ushqimit të përgatitur nga SORI-AL dhe gjendjes shëndetësore të studentëve.

Deklarata e plotë e kompanisë

Dy muaj akuza. Një përfundim zyrtar krejt tjetër…

Për më shumë se dy muaj, opinioni publik u bombardua me lajmin se “SORI-AL” kishte shkaktuar helmim masiv ushqimor. Sot, pas përfundimit të të gjitha verifikimeve zyrtare, rezulton se asnjë institucion nuk ka konfirmuar një përfundim të tillë. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të kompanisë është bërë dhe nuk mund të zhbëhet me një procesverbal apo një njoftim administrativ.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, “SORI-AL” bashkëpunoi pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, hapi ambientet për çdo kontroll e rikontroll, vuri në dispozicion çdo dokument të kërkuar dhe priti përfundimin e verifikimeve pa zhvilluar gjyq në media dhe pa paragjykuar punën e autoriteteve.

Dokumentet zyrtare flasin qartë. QSUT konfirmon se asnjë pacient nuk është diagnostikuar me helmim ushqimor dhe se nuk ekziston asnjë raport mjekësor që ta lidhë gjendjen e pacientëve me konsumimin e ushqimit të gatuar nga SORI-AL. ISUV rezultoi negativ për kampionet e ushqimit të marra gjatë kontrollit zyrtar, rezultat i konfirmuar edhe nga analizat e laboratorit privat të akredituar.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk konstatoi asnjë shkelje ligjore, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se nuk kishte kryer analiza laboratorike të ushqimit, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e mbylli procedurën pa konstatuar shkelje dhe lejoi vijimin normal të aktivitetit të shoqërisë. Edhe të dhënat klinike tregojnë një panoramë krejt tjetër nga ajo që u krijua në opinion publik.

Në episodin e parë, nga 45 persona të paraqitur në QSUT, 43 janë larguar brenda 1 deri në 4 orësh, ndërsa vetëm 2 kanë qëndruar më gjatë për monitorim. Në episodin e dytë, nga 67 persona, 66 janë larguar brenda 30 minutash deri në pak orë, ndërsa vetëm një person ka qëndruar i shtruar për disa ditë. Këto janë fakte zyrtare mjekësore, jo interpretime.

Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e reputacionit të një biznesi nuk mund të trajtohet si çështje dytësore, sidomos kur perceptimi publik është krijuar përpara se të flisnin dokumentet zyrtare.

Ditët e fundit, institucionet shtetërore reaguan me të drejtë ndaj dëmtimit të reputacionit të bizneseve përmes komenteve dhe vlerësimeve të rreme në rrjetet sociale, duke theksuar se mbrojtja e biznesit është interes publik.

Ne e mbështesim plotësisht këtë standard. Por shtrohet një pyetje po aq e rëndësishme: kur reputacioni i një biznesi dëmtohet nga komunikime apo veprime të vetë institucioneve publike, të cilat në fund nuk mbështeten nga dokumentet zyrtare të procedurave të tyre, kush mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar?

Në një shtet të së drejtës, e vërteta duhet të ketë të njëjtën jehonë publike si akuza…

/voxnews