Prapaskena

Dritan Zagani (Zagari) nga roje droge në Vlorë në roje pylli në Zvicër

Publikuar: 13/02/2022

Dënimi i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka nxjerrë edhe një herë në skenë ish oficerin e policisë, Dritan Zagani (Zagari), një personazh i dënuar për dekonspirim të aksioneve të policisë, që shiste informacionet me para, shërbente si mburojë për trafikantët e drogës, manipulonte aksidente dhe implikohej një lloji-lloji punësh të pista.

Ashtu si me rastin ‘Babale’, kundërshtarët e Tahirit himnizuan dhe kthyen në hero Zagarin e trafiqeve, i cili nga roje kanabisi në Vlorë sot ka përfunduar në roje pylli në Zvicër, për t’i shpëtuar vuajtjes për dy dënime në Shqipëri.

Pas dënimit të Saimir Tahirit, dënim i cili duket se nuk ka lidhje me veprën penale që iu atribuua, por për të dhënë një mesazh dhe nisur ndëshkimin e kokave të korrupsionit, nxori edhe një herë kokën nga arratia Zagani.

Ish oficeri i policisë nisi të japë leksione dhe mendime se kush duhet të dënohet, duke e vizatur veten si një punonjës që denoncoi lidhjet e ministrit me trafiqet.

Po si qëndron e vërteta? Në nëntor të vitit 2018, sh-shefi i antidrogës në Drejtorinë e Policisë Fier, Dritan Zagani është deklaruar fajtor dhe dënuar me 4.6 vite burg për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit”.

Gjykata e gjeti fajtor Zaganin pasi shiste informacionet e policisë tek persona të huaj, në këmbim të pagesave, duke dëmtuar hetimet e policisë për trafikun e drogës.

Për këto informacione, Zagani shpërblehej financiarit, ndërkohë që shumë nga këto informacione nuk i referonte tek eprorët e tij në Fier dhe Drejtorinë Qendrore në Tiranë.

Në 3 maj 2014, Zagani, me urdhër të Krimeve të Rënda është arrestuar nga policia për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit”.

Në një rast në vitin 2014 Dritan Zagani ka sabotuar një aksion që po ndiqej nga Krimet e Rënda dhe agjentët e policisë së Shtetit, ku synimi i tyre ishte zbulimi i të gjithë anëtarëve të grupit.

Ky rast hetimor u ndërpre në mes, pasi në Fier ka ndërhyrë Zagani, duke arrestuar dy persona dhe shtuar anëtarët e tjerë.

Para dënimit me 4.6 vite burg, Zagani është dënuar edhe një herë tjetër me 3 vite burg për akuzën e “Largimit nga vendi i qëndrimit të detyruar”. Vetëm pasi rrezikonte dënimin dhe ishte kapur duke shitur aksionet e policisë, Zagani u largua në Zvicër, ku u kujtua të denonconte Saimir Tahirin.

Sipas burimeve, Zagani punon si rojtar pylli në Zvicër, ku ndërsa i kujtohet vetja si roja droge në Fier dhe Vlorë, flet herë pas here dhe jep mesazhe për zhvillimet në Shqipëri. / Pamfleti



Më të lexuarat