Prapaskena

Denar Biba mashtron ‘derrçe’ deputetët, mohon gjobën 5 milionë euro që i hoqi kartelit të miellit

Publikuar: 10/02/2022

Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka thirrur dje në raportim kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, i cili me votën e tij shpëtoi mafien e miellit nga një gjobë me vlerë 5 milionë euro, për shkak të një pazari të kartelit për të rritur çmimin e miellit dhe bukës me bashkërendim, për të vjedhur shqiptarët.

Biba u thirr për të dhënë sqarime se pse Autoriteti i Konkurrencës pranoi pazarin e kartelit të miellit, por më pas votoi 3 me 2, për të hequr gjobën. Denar Biba, i skeduar si sekser gjyqtarësh, për afera, pazare dhe pasuri të dyshimtë, mashtroi dje për rreth 2 orë e 30 minuta deputetë në Kuvend, duke degraduar dhe shpërfytyruar institucionin që drejton.

Biba mori në mbrojtje oligarkët e miellit që kanë kapur 80 % të tregut të miellit, duke rritur çmimin sa herë të duan, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe tregut të lirë.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që kreu i një institucioni publik, i cili duhet të mbrojë interesin publik, të bëhej avokat i kartelit të miellit.

Nuk dihet së çfarë interesi i fuqishëm e ka detyruar Bibën që të bëhej avokat i kartelit të miellit. Në rrethet politike dhe mediatike thuhet se një nga oligarkët e miellit, Fiqoja i Vorës, e ka mbuluar Bibën me para.

Denar Biba u pyet disa herë nga deputetët se pse votoi për t’i hequr gjobën kartelit të miellit. Në vend të përgjigjes, Biba spërdridhej, bënte retorikë dhe në fund pati edhe pafytyrësinë që të mohonte propozimin për gjobë.

Në fillim Biba tha se gjoba ishte tepër e lartë, ndërsa më pas tha se nuk kishte propozim për gjobë.

Një sjellje e tillë prej sharlatani nervozoi deputetët, të cilët nuk po merrnin asnjë përgjigje dhe mbledhja po shndërrohej në gjëegjëzë.

Gjoba ishte në nivele tepër të larta. Nuk duam të konsiderohemi si një institucion, i cili ka si qëllim primar gjobitjen e bizneseve. Gjoba është një instrument për ndëshkimin dhe edukimin e bizneseve që shkelin ligjin, por nuk është qëllimi primar i institucionit tonë. Debatet ishin të larta, me tone të larta. Nuk do t’i gjeni në procesverbal, pasi janë redaktuar sepse nuk përbëjnë interes publik. Nga materialet e paraqitura, disa nga anëtarët, një ndër ta edhe unë, nuk krijuam bindjen, problematikat janë aty, por në mungesë të një prove konkrete dhe vetëm me indicie, që ishte çmimi, nuk ishin në gjendje të merrnin një vendim , jo më të vendosnim gjobë. Nuk kemi marrë vendim. Nuk ka pasur në mbledhjen tonë një draft për propozim për gjobë”, tha Baba.

Në një linjë me Bibën ishte edhe zëvendëskryetarja Leida Matja, e cila gjithashtu ka votuar për interesa të kartelit të miellit.

Duke mos marrë asnjë përgjigje, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi e pyeti edhe një herë Denar Bibën se pse kishte rrëzuar gjobën, kur kishte pranuar marrëveshjen mes oligarkëve të miellit.

Të njëjtën pyetje përsëriti edhe deputetja Jorida Tabaku. Edhe deputetët e tjerë, me takt, u kujtuan Bibës së po gënjente hapur, pasi dy anëtarë të Autoritetit kishin votuar pro vendosjes së gjobës, ashtu siç edhe kishte propozuar sekretariati.

Mbledhja u mbyll pa ndonjë përfundim. Ndoshta e vetmja zgjidhje mund të vijë me ndërhyrjen e SPAK-ut. / Pamfleti



Më të lexuarat