Dosja e skandalit të tjetërsimit të “Morava Resort”, ku janë të përfshirë gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë dhe biznesmenë shkon në “dorën” e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.
Ambasadorja njihet për tolerancë zero ndaj korrupsionit në drejtësi, ku nisma e SHBA-së ka sjellë Vetting-un aq të dëshiruar për Shqipërinë. Madje, veprimet e ambasadës dhe Departamentit të Shtetit për individë të veçantë ka sjellë më pas nisjen e procedimeve penale nga SPAK apo edhe arrestime të bujshme siç ishte rasti i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Por, paraardhësi i Llallës, Theodhori Sollaku ka ngritur një sistem privat të drejtësisë, duke rekrutuar gjyqtarë, prokurorë apo edhe të shkarkuarit nga Vetting-u, duke i përdorur më pas për influenca te njerëzit e pakët që kanë ngelur në sistem.
Gazeta Shqip ka denoncuar në vijimësi këtë bandë, e cila arriti të shpallë të pafajshme një anëtare të saj, Margena Çela. Pra, skema është shumë e thjeshtë: të shkarkuarit nga Vetting-u, në këtë rast Ervin Metalla dhe Antoneta Sevdari, ndërhynë te gjyqtari Bedri Qori për të shpëtuar noteren Margena Çela.
Por, vendimmarrja e Qorit të Relit tashmë, pas SPAK, KLGj-së apo KPK-së i ka kaluar edhe ambasadores Kim. Por, nëse deri më tani kjo bandë ndërhyri te disa prej këtyre institucioneve, a do tentojë ta nxjerrë të palaguar Qorin?!
Provat janë pikërisht në dosjen voluminoze, e cila ka mbërritur në godinën në Rrugën e Elbasanit, atje ku janë “gatuar” disa prej dosjeve më të bujshme të zyrtarëve shtetërorë. Apo atje ku faktet nuk tjetërsohen dhe po kalove në “lupën” e tyre dy rrugë ka: Arrestim apo shpallje non grata.
Dy masat janë aplikuar për një sërë gjyqtarësh në detyrë apo të shkarkuar, ku disa janë proceduar dhe disa janë arrestuar.
Por, a do ta ketë të njëjtin fat Bedri Qori?! Burime për Gazeta Shqip pohojnë se gjyqtari milioner, me origjinë nga Tepelena, mund të jetë me ditë në këtë sistem, pasi denoncimet për të kanë vërshuar lumë. Por, në këtë rast, ne po citojmë fragmente të dosjes voluminoze që ka shkuar në Ambasadën e SHBA-së për tjetërsimin e kompleksit “Morava Resort”, në Korçë.
“… ju drejtohem për të kërkuar ndërhyrjen dhe ndikimin tuaj ndaj disa autoriteteve shqiptare, funksionarëve të shtetit dhe bashkëpunues të tjerë të cilët janë lidhur në mënyrë të kundërligjshme për qëllime të caktuara në dëmin tim dhe pronave të mia” thuhet në ankimin e S.B, aksionerit të kompleksit “Morava Resort”.
Pra, një ankesë mjaft e qartë për të gjithë anëtarët e bandës, të cilët me vendime dhe influenca arritën që të shpallnin të pafajshme noteren.
“… Bedri Qori, Gjyqtar: ushtron funksionin e tij si Gjyqtar në Gjykatës e Shkallës së Parë Tiranë, seksioni penal. Gjatë gjykimit të kësaj çështje përpara marrjes së një vendimi të tillë, S.B nuk është njoftuar rregullisht nga Gjykata për seancat e caktuara prej tij duke mos i dhënë mundësinë e mbrojtjes. … rezulton që gjyqtari i çështjes ka bazuar vendimmarrjen e tij ne akte/dokumente që nuk janë pjesë e dosjes hetimore që Prokuroria ka dërguar në gjykim dhe as janë prova që i janë nënshtruar një debati minimal në respekt të parimit te kontradiktoritetit” thuhet në këtë ankesë.
Më tej, sqarohet se gjyqtari në vendimin e tij ka kopjuar komplet arsyetimin dhe argumentet e mbrojtjes të së pandehurës Margena Çela dhe midis tyre thotë që “në dosjen hetimore ka 2 akte ekspertimi” një të kryer nga ISHP me vendim të Prokurorisë dhe një tjetër privat të kryer nga e Pandehura.
Ky i fundit as nuk ka qenë pjesë e hetimit të Prokurorisë dhe as e dosjes që ka shkuar në Gjykatë me kërkesën për gjykim nga Prokuroria. Pra, në këtë mënyrë është deformuar dosja hetimore dhe ky akt ekspertimi privat ka “shtyrë” Gjyqtarin që të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për dërgimin në gjyq të çështjes.
Gjyqtari ka futur në proces një provë që sipas tij është për efekt të të njëjtit procedim dhe fakt. “Kjo shkelje e procedurës, por edhe e gabimit që gjyqtari bën midis një vepre penale dhe një vepre penale që është hetuar dhe po hetohet nga Prokuroria Korçë” thuhet në dosje.
Megjithatë, në Prokurorinë e Tiranës dhe Korçës, për anëtarët e kësaj bande janë regjistruar disa procedime penale, ku biznesmeni Arben Reli ka tentuar që të përvetësojë mijëra metra katrorë truall dhe ndërtime në Malin e Moravës në Korçë, në dëm të bashkëortakut tjetër S.B. Akuza e parë është ndërtimi pa leje, që dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Në Korçë po hetohet dosja 664, për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Ndërtim pa leje”, Prerje e paligjshme pyjesh”. Të gjitha ndërtimet janë bërë për arsye përfitimi, akuza të cilat kapin burg mbi 10 vite burg./Marrë nga Gazeta Shqip/