Teksa besueshmëria dhe serioziteti i Foltores mori një goditje të rëndë për shkak zbulimit të mashtrimit me firmat e delegatëve, Sali Berisha po kërkon shpëtim tek Azem Hajdari simbolin e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, duke e përdorur në funksion të Kuvendit paralel të PD-së, që synon të mbledhë në 11 dhjetor. Në një kohë kur Lulzim Basha e ka sfiduar me thirrjen e Kuvendit në 18 dhjetor, me konfirmimin e mbështetjes nga shumica e deputetëve, anëtarëve të Kryesisë dhe krerët e degëve, Berisha i është rikthyer dje Azem Hajdarit, për të përdorur figurën e tij në këto momente të vështira politike. Ditën e djeshme, gjatë ndalesës në Librazhd, Berisha u shpreh se “Dua t’ju informoj se në Kuvendin e 11 dhjetorit, themeluesi i PD Azem Hajdari do shpallet ‘President Nderi’ i përjetshëm i kësaj partie”.
Po sa real dhe i sinqertë është Sali Berisha në vlerësimin e Azem Hajdarit? Referuar arkivës së kohës, rezulton se, Azem Hajdari, deri ditën që mbylli sytë, nuk ka pasur kundërshtar më të egër dhe të përbetuar se sa Sali Berishën. Madje, Sali Berisha vijoi hakmarrjen ndaj Azem Hajdarit edhe 21 vite pas vrasjes, duke mbështetur përjashtimin e së bijës, Rudina Hajdari, nga Partia Demokratike, për shkak të refuzimit për të djegur mandatin e deputetit, në shkurt të vitit 2019.
Vetëm 4 muaj pasi Sali Berisha emëroi të besuarin e tij, Bashkim Gazidede, në krye të SHIK-ut famëkeq, Azem Hajdari është ankuar publikisht se përgjohej dhe survejohej nga Gazidede, sigurisht për llogari të Sali Berishës. Në 26 qershor 1992, tre muaj pas erdhi në pushtet, Berisha emëroi Gazideden në krye të SHIK-ut. Në 7 shtator të vitit 1992, Azem Hajdari, në atë kohë deputet i PD, denoncon Bashkim Gazideden në mes të Parlamentit se e kishte përgjuar./Shqiptarja.com/