Akuza për provokim dhe reagime të ashpra ndaj presidentit Ilir Meta, kanë qarkulluar mëngjesin e sotëm në mediat greke për ekspozitën kushtuar Çamërisë.
“Meta shfaqet në një ekspozitë me foto dhe harta nga i ashtuquajturi ‘gjenocid i Çamërisë’ dhe gjoja ‘pushtimin e territoreve shqiptare në Greqi”, shkruhet në artikullin e publikuar nga “Protothema”.
Sipas mediave, Ambasada Greke në Shqipëri ka reaguar ashpër duke kërkuar nga presidenca ndërprerjen e kësaj ekspozite.
Ekspozita përkujtimore e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është e aksesueshme për publikun prej disa ditësh në kangjellat e presidencës, ku çdo kalimtar përmes fotove dhe hartave mund të rikujtojë një pjesë të historisë sonë të pamohueshme.
Artikulli nga mediat greke është publikuar mëngjesin e sotëm, ndërsa ende nuk kemi një reagim zyrtar nga presidenca.