Pas kërcënimit publik që të largohej së më parë andej nga kishte ardhur, Sali Berisha shantazhoi Lulzim Bashën disa ditë më parë, teksa tha në ‘Foltore’ se e kishte përgjuar sa herë Basha ishte shfaqur në zyrën e Berishës për t’u këshilluar me të.
“Në këtë iPad kam shumë dokumente, që faktojnë se Lulzim Bashës i kam thënë në zyrën time shumë gjëra”, tha Berisha duke kërcënuar hapur Bashën se do t’i publikonte përgjimet nëse nuk largohej nga kreu u PD-së.
Lulzim Basha, i mbështetur nga amerikanët, nuk u dorëzua, por iu përgjigj Berishës po me shantazh dhe kërcënime serioze. Përmes disa mesazheve të koduara, Basha paralajmëroi Berishën se nëse do të vijonte në këtë rrugë, ai do të fliste për krimet e tij. Kaq u desh që Berisha të tërhiqej të paktën nga shantazhi me përgjime.
Sali Berisha ka përgjuar sistematikisht të gjithë bashkëpunëtorët e tij në PD, kundërshtarët në këtë parti, kundërshtarët në partitë e tjera, gazetarë, analistë etj., me qëllim për t’i shantazhuar në momente të caktuara. Një grup kontrolli që zbarkoi në SHISH me urdhër të Ilir Metës dhe Edi Ramës në vitin 2014, zbuloi se Sali Berisha kishte përgjuar Sokol Olldashin deri natën kur u nda nga jeta në mënyrë misterioze në 20 nëntor 2013, kishte survejuar lëvizjet e tij për të marrë drejtimin e PD, të cilën Berisha ia kishte besuar Bashës. Grupi i kontrollit zbuloi se Saliu kishte përgjuar edhe Blendi Fevziun duke sharë Argitën dhe Shkëlzenin në telefon me një deputet të PS-së, i cili më pas u bë ministër i rëndësishëm. Për këtë arsye, Berisha bojkotoi për disa vite emisionin e Fevziut. Grupi zbuloi se Berisha kishte përgjuar mbi 800 herë Ilir Metën gjatë pazareve me Edi Ramën në 2012 dhe 2013, për të qeverisur bashkë.
Por, njeriu që është përgjuar më shumë dhe deri në ditën e fundit të tij të jetës nga Sali Berisha, është Azem Hajdari, i cili konsiderohej si rreziku më serioz për t’i marrë partinë. Që kur Sali Berisha vendosi Bashkim Gazideden në krye të SHIK-ut në vitin 1992, një nga detyrat e para që i ngarkoi ishte që të përgjonte Azem Hajdarin në çdo moment dhe ta ndiqte këmba-këmbës. Një grup i posaçëm në SHIK-un kriminal u ngarkua me detyrën e posaçme të përgjimit dhe survejimit të Azem Hajdarit. Nga ana tjetër, Gazidede bënte një raport të hollësishëm me të gjitha bisedat, lëvizjet dhe kontaktet e Azemit, raport të cilin ia dërgonte Berishës në fshehtësi.
Po cilat janë faktet?
Në 26 qershor 1992, vetëm tre muaj pasi Berisha emëroi njeriun e tij të besuar, Bashkim Gazideden në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, Azem Hajdari u ankua se po përgjohej nga SHIK, për llogari të Berishës. Azemi u ankua fillimisht në mënyrë private, dhe kur shqetësimi i tij nuk po merrte zgjidhje, ai plasi ‘bombën’ në mes të parlamentit, në 7 shtator 1992. Madje, Azemi i kërkoi Maks Haxhisë, në atë kohë kryeprokuror, që të arrestonte Bashkim Gazideden pasi po e përgjonte për llogari të Sali Berishës.
Në përgjigje të kërkesës së Azemit, Haxhia shprehet se “Përse nuk u ndalua Bashkim Gazidede për përgjimet e paligjshme ndaj Azem Hajdarit?”
Për sa i përket fjalëve, z. Azem Hajdari që dëgjohen lart e poshtë, unë nuk mund të shkoj me arsyetimin e tyre, ashtu si nuk mund të shkoja të filloja përgjegjësinë penale për z. Gazidede, për incizimin që ju ka bërë juve, flitet, të paktën, nëpër gazeta. Kush ka denoncime konkrete për persona konkretë, me prova konkrete, derën e Prokurorisë e ka hapur dhe përkushtimin tonë e ka gjithmonë gati”.
Bashkim Gazidede nuk i ndahej Azemit. “Ai (Gazidede) gaboi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike kur tha që unë e kam incizuar Azem Hajdarin në një bisedë telefonike, sepse ai duhet ta dinte që sigurimi i sotëm nuk ka mundësi që të incizojë më tepër se 50 telefona. Unë e di mirë mundësinë e rrjetit informativ të SHIK-ut që është plotësisht i shkatërruar dhe që duhet të organizohet”, tha Azemi. Në këto kushte, Azem Hajdari vuri në lëvizje parlamentin.
Në datë 22 shtator 1992, Parlamenti thirri në interpelancë Bashkim Gazideden. I pyetur për çështjen e përgjimit të Azemit, Bashkim Gazidede deklaron se “Në lidhje me këtë pyetje, atë ditë që ka mbajtur konferencën e shtypit deputeti Hajdari, unë kam bërë një deklaratë në ATSH, e cila është transmetuar ne radio dhe risqaroj ne lidhje me këtë problem se është fjala për një bisedë telefonike të bërë midis z. Hajdari dhe meje drejtpërsëdrejti, dhe jo midis z. Hajdari dhe ndonjë personi të tretë. Pra, z. Hajdari ka folur me mua në Shqipëri dhe jo nga SHBA-ja, pra ka folur në telefon me mua. Ai më ka thënë diçka në bisedën telefonike drejtpërsëdrejti dhe këtë fakt i kam dhënë unë atij në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike”.
Në vijim, Azem Hajdari ishte objekt përgjimesh, atentatesh dhe akuzash. Në fund të vitit 1996, Sali Berisha nisi një fushatë akuzash ndaj Azem Hajdarit, duke përdorur përgjimet e Gazidedes. Pas akuzave si spiun i Sigurimit dhe i Ramiz Alisë, për lidhje me bandat, trafiqet, krimin ejt., Berisha e përjashtoi Azemin nga grupi i PD-së në në 9 janar të vitit 1997.
Edhe pas përjashtimit, Sali Berisha nuk ishte i qetë nga Azem Hajdari. Në këto rrethana, Berisha vendosi të ndjekë një strategji tjetër. Ai e afroi sërish Azemin në PD dhe i dha një zyrë në krah të zyrës së vet, në selinë blu, duke e bërë nënkryetar. Ky është momenti që Berisha do të përgatiste terrenin për ta futur Azem Hajdarin në konflikt me Fatmir Haklajn, tmerri më i madh mbi tokë për Sali Berishën.
Aq frikë dhe tmerr kishte Berisha nga Fatmir Haklaj saqë deri ditën e fundit të jetës së Fatmirit, Berisha nuk guxonte t’i përmendte as emrin. Natën e vrasjes, Sali Berisha e thirri me urgjencë Azemin nga Fieri në Tiranë dhe pas hyrjes në seli, i tha dil se po të kërkojnë ty. Jashtë ishte Fatmir Haklaj me grupin e tij, duke pritur të dilte Sali Berisha, strumbullari i konflikteve, atentateve, vrasjeve dhe intrigave në Tropojë. Në vend të Berishës, doli Azem Hajdari me një pistoletë me silensiator në dorë. Nga ky konflikt, Sali Berisha jo vetëm hoqi qafe Azem Hajdarin, por i shkurtoi ditët edhe Fatmir Haklajt, për vrasjen e të cilit u bashkuan njerëzit e Sali Berishës, struktura të shtetit, komando dhe armiqtë e tij të shumtë./Pamfleti