Inceneratoret dhe PPP-të e Qeverisë për djegien e mbetjeve jannjë nga çështjet më të forta mbi të cilën media dhe opozita kanë ngritur me dhjetra akuza duke e quajtur një aferë të pastër korruptive.
CNA.al ka raportuar në vijimësi me dokumenta, se koncesionet e mbetjeve urbane i kanë marrë në mënyrë të dyshimtë buxhetit të shtetit dhjetra milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Plehrat, janë kthyer në një biznez të artë për Klodian Zoton e Integrated Technology Services.
E regjistruar në vitin 2010 nga Klodian Zoto, kompania Integrated Technology Services është një shoqëri kontraktore kontroverse, e cila qëndron pas kontratave koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Sharrës në Tiranë.
Pa garë, Klodian Zoto, ka përfituar 178 milionë euro për ndërtimin e tre inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë.
Por, skandali nuk mbetet me aq. Janë marrë paratë dhe projekti nuk ka funksionuar.
Një rast i tillë ka ndodhur me impiantin e përpunimit të mbeturinave në grykëderdhjen e Ishmit dhe konkretisht në zonën e Godullës.
Në maj të vitit 2016, Ministria e Mjedisit lidhi një marrëveshje kuadër me bashkimin e operatorëve Integrated Technology Services, Shijaku dhe Zenit Ambiente për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimin e vijës bregdetare, me vlerë 101.2 milionë lekë.
Në një prokurim të dytë të mbajtur në mars 2017, Integrated Technology Services u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Ishëm dhe rikualifikimit të vijës bregdetare të Gotullës, me vlerë 202.6 milionë lekë. ITS ishte operatori i vetëm me ofertë financiare në tender.
Fillimi i punimeve ishte parashikuar me 6 Prill 2017 dhe data e përfundimit të punimeve ishte parashikuar me 4 Dhjetor 2017.
Rrjeti i gazetarëve investigative ka kontstuar se impianti indërtuar nga ITS në Godullë është jashtë funksionit dhe 202 milionë lekët kanë përfunduar në lumë.
Sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, fondi për këtë projekt është rritur artificialisht me 8.2 milionë lekë.
“Si rrjedhojë e rritjes artificiale të fondit limit në shumën prej 8,256,000 lekë dhe ofertës së paraqitur nga shoqëria ITS sh.p.k në vlerën prej 202,603,181 lekë, rezulton dëm ekonomik dhe përfitim i padrejtë nga shoqëria në vlerën prej 3,153,288 lekë me tvsh,” shprehet KLSH.
Nuk është vetëm rasti i grykëderdhjes së Shkumbimit, ku impianti 202 milionë lekësh i ITS ka dështuar, pra është jashtë funksionit.
Ja një tjetër rast.
Në 17 maj 2017, u përurua në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, një impiant i ri i mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese.
Një vit më vonë, barriera e ndërtuar nga kompania “Integrated Technology Services”, ITS Sh.p.k u shkatërrua nga rrjedha e lumit Shkumbin.
Për ndërtimin e këtij impiani ITS e Klodian Zotos, ka marrë 759,204.76 euro.
Impianti i Vilë Bashtovës bashkë me një barrierë të dytë në grykëderdhjen e lumit Ishëm në rezervatin e Gotullës pranë fshatit Adriatik, vija ndarëse mes bashkive Durrës dhe Laç, ishin pjesë e një projekti pilot të Ministrisë së Mjedisit që kushtuan 324.9 milionë lekë ose 2.62 milionë euro.
Pra, janë të paktën dy raste, ku 2.62 milion euro, kanë përfunduar në xhep të Klodian Zotos, ndërkohë që impiantet e përpunimit janë shkatërruar./CNA.al