Bankers Petroleum nuk është mjaftuar me shmangien e tatimit mbi fitimin, nën justifikimin e kryerjes së investimeve kostoja e vërtetë e të cilave ndër vite është e dyshimtë. Megjithatë, si për të mos mjaftuar kjo, kompania u gjobit në 2019-n për shmangie të akcizës.
Pra, përveç miliona eurove taksa e detyrime të tjera që akuzohet se i ka shmangur që prej 2004-s, për të cilët shuma përflitet mbi 400 mln euro, Bankers akuzohet se kërkoi t’i shmangej edhe akcizës, që në rastin e saj si prodhues varion nga 5 deri në 8 lek për litër, në varësi të cilësisë së produktit të naftës.
Taksa mund të duket modeste, por e vendosur në kontekstin e një prodhuesi të madh, dëmi i shkaktuar në buxhet shkon në disa miliona euro. Si shembull, në 2018-n, Bankers raportoi 910 mijë tonë naftë prodhim, ose 91 milionë litra. Duke i vendosur akcizën mesatare 6.5 lek për litër, atëherë shmangia e taksës shkon në rreth 600 milion lek, ose rreth 50 milionë euro.
Për këtë arsye, Bankers u gjobit me shifrën rekord prej 120 milionë euro në 2019. Gjoba ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar të ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ku në sitë u kaluan bilancet e kompanisë nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Hetimi doli në përfundimin se kompania Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë, që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Bëhet fjalë për akcizën karburantit gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdoret për të holluar naftën bruto.
Mbi këtë detyrim është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro siç parashikon ligji i procedurave, plus 30 mln euro detyrimet e shmangura, duke e çuar shumën totale që duhet të paguajë kompania në 120 milionë euro.
Në vitin 2014 qeveria shqiptare vendosi ta taksojë solarin me akcizë pasi dyshonte se ky produkt edhe pse deklarohej si lëndë e pare për prodhimin e naftës ishte duke u shitur në treg duke krijuar kështu një skemë gjigante evazioni. Por edhe ndryshimi i ligjit nuk arriti ta mbyllë plotësisht skemën e evazionit dhe shkak u bë një vendim i Gjykatës Administrative në dhjetor të 2014-ës, i cili shfuqizoi dy akte administrative të doganave për të vjelë akcizën nga Bankers.
Ndërkohë, vetë Bankers Petroleum reagoi duke mos e mohuar drejtpërdrejt gjobën, por duke thënë se nuk kishte marrë zyrtarisht asnjë gjobë.
“Bankers konfirmon se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar mbi ndonjë penalitet nga Dega e Doganës Fier apo Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të cilat kontrollojnë vazhdimisht aktivitetin e kompanisë”, deklaronte kompania. Bankers Petroleum pretendonte se aktiviteti i saj është tërësisht transparent pasi është në monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet shtetërore shqiptare dhe veçanërisht atyre tatimore dhe doganore.
Prej asaj kohe “gjoba” ka rënë në heshtje. Ajo jo vetëm që nuk është vjelë, por as është bërë publike. Ndaj pyetja që ngrihet kur kanë kaluar më shumë se dy vite është: kur do të ekzekutohet gjoba 120 milionë euro ndaj Bankers Petroleum?