Tenderat e AKZM/ Fryrje kostosh, ndryshime projektesh e favorizime kompanish

Pa Kategori

Publikuar: 29/10/2021

Tenderat e AKZM/ Fryrje kostosh, ndryshime projektesh e favorizime kompanish

Veç mangësive të gjetura në dokumentacionet shoqëruese të faturave të operimit dhe lejet ndërtimore në zonat e mbrojtura, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur abuzime të mëdha me tenderat në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Sipas auditimit, AKZM ka kryer tendera me kosto të fryra dhe pa çmime reference për shërbimet, apo materialet e përcaktuara në kriteret e këtyre tenderave në disa raste. Bëhet fjalë për tendera, me vlerë totale rreth 80 milionë lek.

Në tenderin e parë, me objekt hartimi i planit të menaxhimit të “Syrit të Kaltër” me fond limit 5.83 milionë lek audituesit e KLSH kanë konstatuar se grupi i ngritur për hartimin fondit limit nuk kishte kërkuar nga ofertuesit e tregut një analizë të kostos për këtë shërbim.

“Ndërkohë, duke iu referuar termave të referencës zërat e kostos janë të përberë nga kosto ekspertesh, kosto administrative dhe kosto aktivitetesh”, thotë raporti.

KLSH rekomandon që njësia e prokurimit të marrë masa që në hartimin e fondit limit të kryejë saktë një analizë të kostos për këtë shërbim sipas termave të referencës dhe zërat e kostos së përbërë nga kosto ekspertësh, kosto administrative dhe kosto aktivitetesh.

Në tenderin e dytë problematik dhe me vlerë rreth 20 milionë lek, me objekt “Furnizim dhe Vendosje bovash ankoruese”, KLSh gjen se AKZM ka vendosur si kriter që ofertuesi të jetë i pajisur me një zhytës, por pa përcaktuar më tej CV-në, apo certifikatën e zhytësit, duke e lënë evazive interpretimin e këtij kriteri.

Kjo është problematika e parë e këtij tenderi. Problematika e dytë lidhet me gjetjet e KLSh-së, sipas të cilës në këtë tender është vendosur edhe kriteri i ekspertizës profesionale të një inxhinieri, megjithëse në projekt, AKZM nuk ka parashikuar fare punime që të kenë nevojë për këtë ekspertizë.

KLSH ngre tërthorazi dyshime se kriteret e tenderit janë vendosur për të favorizuar një kompani të caktuar dhe rekomandon që të merren masa që në të ardhmen të shmangen mundësitë e diskriminimit të operatorëve ekonomikë.

Për një tjetër tender, KLSh akuzon AKZM se ka kryer pagesat ndaj kompanisë private pa verifikuar në terren që punimet janë kryer sipas kontratës së nënshkruar dhe preventivit shoqërues. Tenderi me vlerë 36,2 milionë lek u pagua për sistemim i zonës së pelegrinazhit Bektashian në Parkun Kombëtar të Mali të Tomorit. Vlera total e tenderit së bashku me TVSh ka shkuaar në rreth 52 milionë lek.

Nga auditimi i KLSH konstatohet se në volumet e punimeve të kryera ka pasur ndryshime krahasuar me preventivin mbi bazën e të cilit është lidhur kontrata. Vetëm në 1 rast, KLSH zbulon se për kompania private ka premtuar sipas parashikimit shtrimin e rreth 8500 metër/katror parking, ndërkohë që në realitet parkingu ishte më pak se gjysma e kësaj hapësire, ose 3950 metër/katrorë.

Për këto ndryshime të projektit KLSH nuk ka gjetur procesverbale të mbajtura në mes operatorit ekonomik, mbikëqyrësit dhe AKZM-së dhe nuk është reflektuar me ndryshimet në kontratë dhe projekt, që do të çonin edhe në uljen e vlerës së tenderit.

KLSh rekomandon që AKZM të marrë masa për të ardhmen lidhur me prokurimet e fondeve të ndërtimit dhe për çdo rast ndryshimi domethënës ne volumet e punimeve të kryera nga preventive në stacione, të mbahen procesverbale në mes operatorit ekonomik, mbikëqyrësit dhe investitorit duke reflektuar dhe duke bërë ndryshimet në kontratë dhe projekt.

Auditimi gjen gjithashtu se Agjencia nuk ka vepruar për të mbledhur pagesat për dhënien në përdorim të zonave të mbrojtura te subjekte private sipas kontratave të nënshkruara me ta. Shuma e prapambetur e paarkëtuar në buxhet përllogaritet në rreth 9.1 milionë lek vetëm për 8 subjekte.

KLSH rekomandon që AKZM të garantojë se ka të gjitha kapacitetet për mbledhjet e borxheve të prapambetura dhe në rastet kur nuk është i mundur ky borxh, të dokumentojë plotësisht se po kryen të gjitha përpjekjet për mbledhjen e tij. KLSH kërkon që AKZM të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të arkëtuar këtë shumë nga vetëm 8 subjekte.