“Lul pirati lexon emra që të “kolliten” në doganën e kunatit, për të paguar faturën e kripur”

Pa Kategori

Publikuar: 28/10/2021

“Lul pirati lexon emra që të “kolliten” në doganën e kunatit, për të paguar faturën e kripur”

TIRANË – Pas “vrasjes” së babait të tij politik, Sali Berishës, Lulzim Basha bëri sot një tjetër hap të guximshëm duke i shpallur publikisht luftë edhe presidentit Ilir Meta, dhe bashkë me Edi Ramën, i futi ata në “Trekëndëshin e Bermudës”

“Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara. Shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një brinjët e trekëndëshit të Bermudës do të bien. 15 veta që kontrollojnë tranzicionin do të japin llogari politikisht”, tha Basha sot në Kuvend duke iu referuar Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës.

Deklarata e kryedemokratit shkaktoi reagime të shumta, ndërsa me ironi reagoi edhe Astrit Patozi.

Duke iu drejtuar Bashës si “Lul parimori”, Patozi e quan kryedemokratin një “pirat tokësor” që zhvat çfarë i del përpara.

Patozi akuzon Bashën si gjobëvënës, ndërsa thotë se biznesmenët që ai i sulmon me emra, e paguajnë faturën e gjobës tek kunati i kryedemokratit, Erjon Isufi.

“Ia mbërritëm më në fund edhe kësaj dite, që Lulzim Basha të flasë për rrezikun e trekëndëshit të Bermudës. Të drejtë ka Lul parimori, por kjo vlen vetëm për peshkatarët, që zgjedhin të gjuajnë brenda hapësirës së tij. Të cilët mund ta paguajnë edhe me jetë çmimin e lundrimit në mes të rrezikut, por ata e dinë qysh në fillim dhe e kanë bërë vetë atë llogari.

Por jo për për të tjerët. Dhe aq më pak për Lulin, si pirat tokësor, i cili ka 16 vjet duke pritur në breg çdo anije, që shpëton nga stuhitë, për t’u marrë atyre, jo vetëm peshkun, por për t’u shkulur edhe rrjetat, kur është mundësia.

Ndaj edhe sot, jo rastësisht, menjëherë pas metaforës për Bermudën, u lexuan në parlament disa emra “peshkatarësh” me potencial të madh për t’u kollitur në doganën kurdoherë vigjilente të kunatit. Një faturë e kripur, të cilën ata tashmë të gjithë e kanë mësuar se i pret përherë në port, edhe në rastin fatlum po të arrijnë të shpëtojnë gjallë nga trekëndëshi i vdekjes”, shkruan Patozi.