Vlorë- Vdekja e djalit të tij disa vite më parë gjatë një aksident më makinë ku udhëtonte me 39-vjeçarin Genc Koretën ka qenë shkak i debateve të shpeshta që ai ka pasur me xhaxhanë e tij, të atin e viktimës Jorgji Koreta. Vetë Jorgji por dhe bashkëshortja e tij, që jetonin në Vlorë, e akuzonin shpesh 39-vjeçarin se ishte përgjegjës për aksidentin me vdekje të djalit të tyre.
Aksidentin tragjik vetë 39-vjeçari Genci Koreta nuk kishte mundur ta përballonte dot dhe që atëherë vuante nga një gjendje e rënduar psikologjike. Këtë e thonë dhe vetë familjarët nën zë si shkak të sherrit që përfundoi me vrasjen e 64-vjeçarit Jorgji Koreta dhe më pas vetëvrasjen e 39-vjeçarit Genc Koreta mbrëmjen e djeshme në fshatin Mekat të Vlorës.
Gazeta Shqip ka mësuar se si ndodhi ngjarja e cila tronditi qytetin e Vlorës:
Ditën e djeshme kishte udhëtuar nga Vlora drejtë Mekatit për t’i vjel këta ullinj së bashku me nipin e tij Gencin në tokën që ndodhej pranë shtëpisë së tij. Sherri mes tyre mendohet se ka nisur pikërisht për rrënjët me ullinj dhe më pas 39-vjeçarit i është kujtuar edhe një herë se ishte përgjegjës për vdekjen e djalit të tij.
Nga debati me fjalë, ata janë konfliktuar fizikisht. I nxehur dhe me gjendje të rënduar psikologjike, Genci është kthyer në banesë, ka marr armën e gjahut dhe ka qëlluar me një plumb xhaxhain e tij që po punonte sërish në tokat me ullinj.
Pas ngjarjes pak metra më tutje 39-vjeçari ka vrarë veten në kokë po me armën e gjahut që vrau familjarin e tij duke shkaktuar një tragjedi të dyfishtë në familjen Koreta.
Gazeta Shqip ka siguruar pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e xhaxhait Jorgji Koreta dhe vetvrasja e autorit nipi i tij Genci Koreta.