Një drejtori e posaçme do të ngrihet në kryeministri për kontrollin e administratës në kuadër të një bashkëqeverisje me qytetarët.
Në projektiligjin e miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, parashikohet se do të ngrihet ‘Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje’ e cila do të kontrollojë gjithë administratën në bashkëpunim edhe me qytetarët.
Në projektligj theksohet se agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore.
‘Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë.’- thuhet në projektligj.
Ndërkohë mes kompetencave, gëzon të drejtën e masave disiplinore për funksionarët e institucioneve që shkelin vendimet e saj me gjoba deri edhe në largim nga puna.
”Në rast se institucioni, ndaj të cilit është kryer inspektimi, nuk e informon Agjencinë ose nuk e zbaton vendimin, ajo vendos masë për ndëshkimin me gjobë. Sanksioni me gjobë shfuqizohet nëse subjekti kundër të cilit është paraqitur ankesa e zbaton vendimin brenda shtatë ditëve pasi është vendosur sanksioni.’- thuhet ndër të tjera.