Prapaskena

ISHMT reagon zyrtarisht për shkëputjen e ashensorit: Nuk ka qenë i regjistruar dhe nuk është inspektuar nga ne

Publikuar: 12/09/2021

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur pak minuta pas mesnatës në zonën e Astirit, ku një ashensor është shkëputur dhe si pasojë 2 gra kanë mbetur të plagosura, njëra prej tyre shtatzënë.

Në reagimin e bërë nga ISHMT, bëhet e qartë se ashensori nuk ka qenë i regjistruar në institucionet përkatëse dhe si pasojë nuk ka pasur asnjë inspektim nga ana e inspektorëve përkatës për të parë sigurinë e këtij ashensori.

Me këtë deklaratë të bërë, përgjegjësia mebtet mbi administratorin e pallatit.

Deklarata e Plotë nga ISHMT

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË

INSPEKTORATI SHTETËROR I MBIKËQYRJES SË TREGUT

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në pallatet me adrese në kompleksin Fratari, në zonën e Astir, Tiranë, sqarojmë se prane ISHMT nuk rezulton ky subjekt si i regjistruar.
Sipas Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar Personi Përgjegjës i produkt/instalimit
nuk e ka bere regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT.

Nga të dhenat e ISHMT për sa i përket raportimeve të Trupave të Autorizuara dhe të dhënave të tjera të siguruara nga ISHMT, rezulton se ashensori i cili ka pësuar “defekt teknik” duke shkaktuar aksident nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar sic parashikon Ligji 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar.

Në zbatim të legjislacionit për administrimin e ambjenteve të përbashkëta, banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve.

Strukturat e ISHMT ne momentin e marrjes se njoftimit janë angazhuar maksimalisht ne bashkepunim dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese per zbardhjen e kesaj ceshtje.



Më të lexuarat