Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ndihmën ndaj refugjatëve afganë në Shqipëri, ku do të ofrohet strehim dhe mbrojtje për ta deri në një periudhë një-vjeçare.
Gjithashtu, do të krijohet një strukturë e tipit Task-Forcë, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm apo përhershëm të Republikës Islamike të Afganistanit.
Prej një javë, Shqipëria është në pritje të një numri ende të pacaktuar të refugjatëve afganë. Në tërësi, siç ka deklaruar më parë kryeministri Edi Rama, mund të jenë deri në 3 mijë refugjatë. Ata do të pranohen për qëndrim të përkohshëm në Tiranë, Durrës dhe Berat.
Mbrojtja për ta, do të fillojë nga çasti i hyrjes në Shqipëri. Po ashtu, në rast se autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët kërkon kufizim të lëvizjes së tyre, një vlerësim i tillë mund të bëhet nga Qeveria.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të kryesojë këtë Task-Forcë. Gjashtë Ministritë e tjera të përfshira, do të jenë ajo e Brendshme, Mbrojtjes, Financave dhe Ekonomisë, Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.
Por, cilat do të jenë detyrat e Task-Forcës? Detyra kryesore është ajo e negocimit me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me qëndrimin e afganëve në Shqipëri. Hartimi i planit të veprimit për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, është një tjetër detyrë.
Struktura do të ketë përgjegjësi në koordinimin e pritjes dhe akomodimit të afganëve. Po ashtu, do të evidentojë nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme në kuadrin ligjor.
Analizimi i kërkesave buxhetore shtesë për funksionim, do të jetë detyra tjetër e Task-Forcës. Periudha e veprimtarisë mbetet me afat deri në përfundimin e situatës. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE
Në mbështetje të neneit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
a) Ministrin e Brendshëm;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
d) Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas nevojave ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të Task-Forcës.
a) Negocion me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi;
b) Harton planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare;
c) Koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit;
ç) Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion;
d) Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëlllim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.