Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 67-vjeçar, pasi një ditë më parë përplasi me makinë patrullën e Forcës “Shqiponja”.
Në pranga ka rënë shtetasi Shkëlzen Kastrati, ndërsa nga aksidenti mbeten të plagosur dy efektivë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“U arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” shtetasi Sh. K., 67 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 13.08.2021, në lagjen nr.4, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar patrullën e Forcës “Shqiponja” të cilët ishin në shërbim. Si pasojë e përplasjes janë lënduar punonjësit e Policisë shtetasit K. H., dhe A. K., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Në dëshminë e tij, Kastrati ua ka hedhur fajin efektivëve të policisë. Një prej policëve është jashtë rrezikut për jetën, kurse tjetri është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Kolegët e policit kanë shkuar të gjithë në spital për të ndihmuar duke dhuruar gjak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.