Prapaskena

“Kriza po afrohet”, Europa shikon e shokuar zhvillimet në Afganistan

Publikuar: 13/08/2021

Ndërkohë që talebanët rimarrin me shpejtësi zona të Afganistanit pas tërheqjes së trupave perëndimore, udhëheqësit europianë po shikojnë me ankth, frikë dhe por edhe shenja pafuqie.

Pasi kanë investuar në krah SHBA-së për të stabilizuar Afganistanin gjatë dy dekadave duke vendosur mijëra trupa dhe duke dërguar miliarda euro në ndihmë, zyrtarët evropianë janë tronditur kur kanë parë se sa shpejt ka mundur grupi islamik forcat qeveritare në të gjithë vendin.

“Ne kishim frikë se në 20 javë, Afganistani do të kthehej 20 vjet mbrapa”, thotë gjenerali italian Claudio Graziano, kryetari i komitetit ushtarak të Bashkimit Europian.

Frika e evropianëve është perspektiva e një regjimi islamik të ashpër që do të sundojë përsëri Afganistanin dhe mundësia e një vale të re emigrimi ka ngritur shqetësime të mëdha.

Zyrtarët po shikojnë gjithashtu nga afër rolet që rivalët gjeopolitikë Turqia dhe Kina po luajnë në krizë. Ankaraja ka ofruar të vendosë trupa në aeroportin e Kabulit pasi trupat e NATO -s të tërhiqen dhe ka mbajtur bisedime me SHBA për javë të tëra mbi këtë çështje. Por disa diplomatë europainë kanë frikë se, pas forcimit të rolit të saj në Siri dhe Libi, Turqia mund të përdorë praninë e saj në Afganistan për të rritur ndikimin e saj në flukset e emigrimit në Europë.

Zyrtarët evropianë pranojnë se ata kanë shumë pak ndikim ose aspak në zhvillimet politike në Afganistan. Dhe nuk ka asnjë shenjë nga udhëheqësit evropianë për një ndërhyrje të re ushtarake, pas vendimit të Presidentit amerikan Joe Biden për të tërhequr forcat amerikane.

BE përfaqësohet nga një i dërguar special, Tomas Niklasson, në bisedimet e paqes në Katar që synojnë të prodhojnë një zgjidhje të qëndrueshme politike për Afganistanin. Në letër, blloku ka një ndikim atje, përmes ndihmës së tij financiare dhe aftësisë së tij për t’i dhënë njohje ndërkombëtare kujtdo që drejton vendin.

Të enjten në mbrëmje, shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell u përpoq të luante kartën e fundit në një deklaratë duke i bërë thirrje talebanëve që të rinisnin”menjëherë” bisedimet dhe të respektonin të drejtat e njeriut. Ai paralajmëroi se “nëse pushteti merret me forcë dhe një Emirat Islamik rivendoset, talebanët do të përballen me mosnjohjen, izolimin, mungesën e mbështetjes ndërkombëtare”.

Por talebanët kanë pak nxitje për t’u angazhuar në ato bisedime ose për t’iu përmbajtur vullnetit të fuqive të jashtme kur po bën një përparim kaq dramatik në terren dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të vendit.

“Unë nuk mund të them qe ne do të kemi ndikim në të ardhmen e Afaganistanit,” tha një diplomat evropian. “Talibanët duket se janë të gatshëm të na vënë para një situate de facto.”

Ndërsa pranojnë pafuqinë e tyre, zyrtarët evropianë vërejnë se edhe SHBA -të gjithashtu duket se kanë pak ndikim mbi talebanët që po përparojnë drejt Kabilit.

Përpjekjet evropiane

Pjesa më e madhe e parave dhe trupave për operacionet e NATO -s në Afganistan erdhi nga Shtetet e Bashkuara, të cilat humbën më shumë se 2,000 ushtarë atje. Por BE dhe vendet e saj anëtare gjithashtu të derdhnin burime të konsiderueshme në vend.

Që nga viti 2002, BE -ja ka ofruar më shumë se 4 miliardë euro në ndihmë për zhvillimin e Afganistanit, duke e bërë vendin përfituesin më të madh të ndihmës për zhvillimin e BE -së në botë.

Shumë vende evropiane gjithashtu kontribuan me trupa në misionet e ndryshme ushtarake të udhëhequra nga SHBA në Afganistan. Gjermania, për shembull, vendosi një total prej më shumë se 150,000 trupash në vend gjatë 20 viteve të fundit. Gjithsej 59 ushtarë gjermanë humbën jetën në Afganistan dhe operacionet e ushtrisë gjermane ate kushtuan rreth 12.5 miliardë euro.

Evropianët po shikojnë sesi shumë nga përpjekjet e tyre në Afganistan po shkojnë dëm. Dhe një nga çështjet më urgjente për zyrtarët evropianë është fati i stafit afgan që punoi për ta dhe mund të përballet me hakmarrje nga talebanët.

Sipas diplomatëve, BE ka identifikuar mbi 100 afganë punojnë për BE -në në forma të ndryshme, me një total prej 456 familjesh të varura.

Diplomatët thonë se Stefano Sannino, sekretari i përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE, u dërgoi një letër vendeve anëtare të BE-së në fillim të gushtit, duke kërkuar ndihmë për të zhvendosur këta punonjës vendas pasi vetë BE-ja nuk mund të japë viza.

Një grup vendesh, përfshirë Francën dhe Holandën, tashmë janë përgjigjur duke thënë se janë në dispozicion për të ndihmuar.

Frika nga migracioni

Një nga frika më e madhe e zyrtarëve evropianë është se konflikti dhe perspektiva e një qeverie talebane mund të shkaktojnë një valë të re të emigrimit masiv, me një numër të madh afganësh që kërkojnë azil dhe siguri në Evropë.

Që nga fillimi i vitit, gati 400,000 afganë janë zhvendosur brenda vendit, rreth 244,000 vetëm nga maji. Dhe afganët ishin më të shumtit në numër që kishin hyrë në mënyrë të paligjashme në BE në vitin 2019 dhe 2020.

Zyrtarët uropianë nuk presin një krizë të afërt migracioni, por ata kanë frikë se një e tillë do të zhvillohet në muajt në vazhdim. “Unë jam i shqetësuar, shumë i shqetësuar për këtë situatë,” tha një diplomat i lartë i BE –së për “Politico.Eu”

Niels Annen, ministër shteti në ministrinë e jashtme gjermane, tha se do të ishte “naive të besohet se marshimi i vazhdueshëm i talebanëve dhe dhuna në zonën e luftës nuk do të ketë ndonjë pasojë për Europën.

“Njerëzit nga Afganistani do të duhet të ikin në numër më të madh se në vitet e kaluara,” tha Anne.

“Ne do t’i ndiejmë efektet e kësaj krize edhe në Gjermani, edhe nëse kjo nuk do të ndodhë në javët e ardhshme,” shtoi ai.

Paqëndrueshmëria në Afganistan ka shkaktuar gjithashtu shqetësime gjeopolitike në Evropë. Një fotografi e kohëve të fundit e një takimi midis Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe udhëheqësit të lartë talebanë Mullah Abdul Ghani Baradar ngjalli ankth tek disa diplomatë se Pekini mund të fitojë ndikim të mëtejshëm në një rajon strategjik nëse qeveria e mbështetur nga SHBA në Kabul bie.

Por zyrtarë të tjerë i minimizuan këto frika, duke thënë se Kina dëshiron stabilitet dhe nuk ka interes të lejojë Afganistanin të paraqesë një kërcënim të ri terrorist islamik.



Më të lexuarat