Një 31-vjeçar u arrestua pas një ndjekje policore për disa minuta në Kurbin, një aksion si në filma ndaj të riut që drejtonte makinën në gjendje të dehur, kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë dhe i kanosi ata më pistoletë imituese.
Në ndjekje të Fation Lika u vunë forcat e posaçme “Shqiponja”, Forca Operacionale e DVP Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kurbin.
Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se efektivët e Policisë Rrugore, në rrugën dytësore Milot-Mamurras, konstatuan një shofer që po kryente manovra të rrezikshme dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Pasi shërbimet i kanë bërë shenjë ndalimi, drejtuesi është larguar me shpejtësi duke rrezikuar punonjësit e Policisë.
Pasi janë venë në ndjekje të tij, shërbimet e kanë konstatuar sërish në fshatin Malbardhë, Kurbin, drejtuesin e mjetit, i cili ka kundërshtuar shoqërimin, duke i drejtuar punonjësve të Policisë një armë në dukje zjarri pistoletë dhe me ndihmën e një shtetasi tjetër ka mundur të largohet.
Në ndihmë të Policisë Rrugore kanë shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, Forca Operacionale e DVP Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kurbin, të cilat falë veprimeve të shpejta kanë arritur të bëjnë identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: Fation Lika, 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje, vjedhjes, kundërshtim me dhunë të punonjësit të Policisë dhe K. Lika (vëllezër), banues në Kurbin.
Gjatë kontrollit me alkoolmatësin (drager) ka rezultuar se shtetasi F. L. drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë u sekuestrua një pistoletë imituese, me të cilën ky shtetas dyshohet të ketë kanosur punonjësit e Policisë, si dhe 2 automjete.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.