Lulzim Basha do të jetë sërish kryetar i Partisë Demokratike.
Demokratët përballjen e radhës kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës do ta bëjnë sërish me Lulzim Bashën, edhe pse vijnë nga 4 humbje radhazi.
Kreu aktual i Partisë Demokratike Basha, ashtu si rivali i tij politik ka arritur të marrë një mandat të tretë, pasi është konfirmuar bindshëm në krye të partisë së tij për herë të tretë radhazi me 81% të votave. Pas tij më i votuari ndër kandidatët është renditur Agron Shehaj me 14.8%. Ndërkohë që Fatbardh Kadilli ka fituar 1.8% të votave dhe Edit Harxhi ka marrë 2.4 %.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Partia Demokratike 54.5% e demokratëve morën pjesë në votime ose 41.100.
Nga këto 40.674 vota ishin të vlefshme dhe Lulzim Basha ka fituar me 32.882 ose 81%. Me një rezultat shumë të mirë është paraqitur Agron Shehaj, i cili ka marrë 6.038 vota 14.8% të votave. Edit Harxhi ka marrë 991 vota ose 2.4% ndërsa i fundit është renditur Fatbardh Kadilli me 763 ose 1.8%.
Procesi zgjedhor u shoqërua edhe me akuza nga rivalët e Bashës.
Nishani e cilësoi maskaradë elektorale, duke lënë të kuptohet se është manipuluar procesi nga Lulzim Basha. Ndërkohë që pati edhe ankesa nga shumë anëtarë të PD-së se nuk e kishin emrin në listë për të votuar. Nuk kanë munguar edhe rastet flagrante të fotografimit të votave për Lulzim Bashën, teksa demokratët përfshi edhe Genc Pollon dëshironin të tregonin ‘besnikërinë’.