Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur për plagosjen e të “fortit” të Vlorës Edison Begaj.
38 vjeçari sapo parkoi makinën pranë derës së banesës së tij, në momentin ku ai kthehet sërish te makina autori i plagosjes i del përballë dhe e qëllon disa herë, ndërkohë që në makinë gjendeshin fëmijët e tij të mitur.
Begaj bie në tokë dhe fëmijët të tronditur lëvizin nga makina.
Me datë 29 maj ka ndodhur edhe ngjarja, policia e Vlorës nuk ka asnjë të ndaluar për atentain, ndërkohë që Begaj ka dalë jashtë rrezikut për jetën, pasi plagët i ka marrë në pjesën e poshtme të trupit.
Dervishi zbuloi se “çanta që Begaj kishte të varur në qafë mbante miliona lekë brenda, dhe dy prej plumbave janë ndaluar nga tufa e parave”.
Begaj nuk është një emër i panjohur për policinë e Vlorës dhe jo vetëm, pasi ai ka qenë subjekt i OFL në maj të vitit të kaluar, ku i është kërkuar që të deklarojë pasurinë e tij.
Ai ka qenë i arrestuar më herët në Vlorë dhe në Itali, për trafikun e sasive të mëdha të drogës.
Begaj ka qenë i dënuar nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Ende nuk është kapur autori dhe nuk dihet shkaku i plagosjes.