Prapaskena

Agron Shehaj e thotë për herë të parë: Po, kam pasur një ftohje me Bashën para 25 prillit (Arsyeja)

Publikuar: 28/05/2021

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka deklaruar për herë të parë mbrëmjen e sotme se ka pasur një ftohje marrëdhënie me Lulzim Bashën përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Shehaj listoi si arsye të krisjes së marrëdhënieve strategjinë elektorale, apo largimin nga Parlamenti. Këtë të fundit e quajti një vendim shumë të rëndë për PD-në.

“Po. Është e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se unë kisha vendosur të konkurroja. Ftohja ka ndodhur. Mendoja se ftohja ikte. Ftohja ka pasur të bëjë edhe me strategjinë elektorale. Largimi nga parlamenti na ka prishur shumë punë. Ishte një vendim shumë i rëndë, me pasoja shumë të rënda për PD-në” tha ai.

Por a i ka borxh Bashës që e afroi në PD? “Borxh u kam demokratëve dhe shqiptarëve” tha Shehaj. Por a ka frikë që mund të përjashtohet nga PD nëse humbet? “E përjashtoj përjashtimin” ishte përgjigja e tij te Zona e Lirë.

Bindjen e kishte të fortë “kam një mbështetje të gjerë, jo unë si njeri, por idetë dhe bindjet e mia”. I pyetur për rivalët në garë, Shehaj u shpreh “Bardhi (Kadilli) burrë shumë i mirë. Nuk kemi të njëjtat ide” përfundoi ai.



Më të lexuarat