Deputeti i opozitës së re, Selami Jenisheri, njëherësh kryetari i Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, ka bërë një tjetër gafë gjatë deklaratë së tij në foltoren e Kuvendit, kur tha se të moshuarve, që marrin një pension prej 30 mijë lekësh, u duhen sipas tij “800 mijë lekë” për të lëvizur me urban vajtje-ardhje.
“Tek ky ankt normativ i thoni shqiptarëve që duhet të paguajnë deri më datën 30 qershor keni afat, ku t’i marrë paret ky që ka kaluar pandeminë, përmbytjet, tërmetin, ku t’i marrë lekët. Se ky në familje ka pensionistin që merr 30 mijë lekë pension, pensionist që ka punuar 30 vite në kazëm dhe ka pru 3-4 fëmijë, atij nuk i del të jetojë.
Dhe ky fëmija e tij, që ka një biznes duhet të paguajë taksat ku mbi shpatullat e tij vepron përmbytja, tërmeti, pandemia e me rradhë, ku do i marrë paret ky person që i thua duhet të paguash këto pare deri me atën 30 qershor. Ku me i marrë? Ku i thua një qytetari të Tiranës, një pensionisti që duhet të pagujë 4 qind lekë të vjetra kur të hypë në urban dhe 4 qind lek të tjera kur të kthehet, bën 8 qind mijë lekë dhe ai merr pension 30 mijë lekë. A e kuptoni se çfarë hallesh ka ky popull?”, tha ai.
Ndërsa një tjetër deklaratë e papritur nga deputeti i Kuvendit, ishte ajo kur Selami Jenisheri tha se ka mundësuar me një delegacion të huaj një marrëveshje që do i sjellë vendit “miliarda lekë”.
“Si nuk ka ardhur njeri që të thotë Selami Jenisheri bravo të qoftë që ke bërë të mundur që të vijë kjo organizatë humanitare ndërkombëtare, e Kombeve të Bashkuara që të na sjellë ndihmë. Duhet vetëm një firmë që në nëntor, dhe nuk e firmos. Nuk i jepni përgjigje kësaj organiztare ti thoni sduam që të na ndihmoni se kemi pare boll. Nëse i marrim këto pare. Kryeministri, Ministria e Financave dhe e Jashtme nuk e firmosin. I them ministers Olta Xhaçka, firmose moj Xhaçka, firmose moj burrneshë që ti vijnë shqiptarëve këta miliarda lekë të vjetra, janë rreth 170 milionë lekë, ka ardhur 2 herë delagazioni, një herë ka takuar Taulant Ballën në zyrën e vet, herën tjetër ministren e Financave, kanë rënë dakort ta firmosin dhe të ndërtojnë projektet aty ku doni ju. Shkollat, spitalet falas. Neve na vdesin motrat vëllezërit tonë në oborret e spitaleve, paret janë aty dhe nuk vendosim një firmë.“, tha ai.
Pak ditë më parë, Jenisheri mburri vetën e tij në Kuvend, teksa tha se Presidenti dhe Parlamenti duhet të thoshte “shyqyr që ka një deputet si Selami Jenisheri që e bëri pjesë Shqipërinë ne OKB”.