Prapaskena

Sinjali tjetër që erdhi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën

Publikuar: 26/05/2021

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, përveç dimensionit thelbësor, pra që e cilësoi flagrant bllokimin e Ilir Metës për emërimin e ministrit të Jashtëm, pati edhe një sinjal të fuqishëm, që sipas gjasave do të reflektojë edhe në vendimet e tjera.

Vendimi i djeshëm u mor me unanimitet, pra 7 me zero. Që do të thotë, nuk ka pasur ndarje mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ata janë zgjedhur sipas konjukturave të ndryshme politike; pra edhe Marsida Xhaferllari apo Sonila Bejtja, zgjedhja e të cilëve u bë nga Presidenti, duke tejklauar kritere, madje edhe vetë Vitore Tusha, që u përfol si mbështetëse e Metës, kanë votuar en block me anëtarët e tjerë.

Një zhvillim që përbën një mesazh të rëndësishëm për aktivitetin e institucionit të ribërë që ka si kompetencë interpretimin e ligjit themeltar të shtetit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin “Cakaj”, është dhënë vetëm si verdikt, pa u publikuar dispozitivi i plotë, në bazë të të cilit do të shikohet jo vetëm motivimi, por edhe komenti që do të shërbejë në të ardhmen.

Megjithatë, në themel, Kushtetuesja rikonfirmoi një aksiomë të ligjit themeltar të shtetit, që ka ndodhur dhe është zatuar prej vitesh në vend, por që e kishte anashkaluar Ilir Meta.

I cili, si në rastin e Sandër Lleshajt, ashtu edhe Gent Cakajt, mori përsipër të emërojë apo të mos pranojë anëtarë të qeverisë, çka nuk e ka fare kompetencë Presidenti i Republikës.

Kreu i shtetit, ka vetëm detyrën apo të drejtën që të kërkojë verifikim nga institucionet përkatëse mbi figurën e njeriut të propozuar për ministër. Pra kriteret ligjore: ka probleme të ministrit të propozuar me ligjin pas verifikimeve nga institucionet përkatëse? Plotëson kriteret që duhen për tu zgjedhur deputet?

Kriteret për tu zgjedhur deputetë përcaktohen në nenin 45 dhe 69 të Kushtetutës së Republikës.

Neni 45 thotë:

1.Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.

2.Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht.

3.Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në raste përjashtimore dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë kufizime

të së drejtës për të zgjedhur të shtetasve që vuajnë dënimin me heqje lirie, ose të së drejtës për t’u zgjedhur para dhënies së një vendimi përfundimtar apo kur shtetasit janë dëbuar për një krim ose për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike.

4.Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë

Ndërkaq, neni 69 i Kushtetutës thekson:

1.Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:

2.a) gjyqtarët, prokurorët;

3.b) ushtarakët e shërbimit aktiv;

4.c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;

ç) përfaqësuesit diplomatikë;

1.d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;

2.dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;

3.e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

4.Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Pra Kushtetuesja i ka bërë të qartë Presidentit, që ai si hallkë dekretuese shikon vetëm kriteret ligjore dhe në asnjë mënyrë merret me detyrën që ka sovrani, në këtë rast Kuvendi i cili ka të drejtën e miratimit të dekretit të emërimit të ministrit.

Në fakt, ky vendin nuk se përbën një të re, pasi gjithmonë kështu është vepruar në Shqipëri, por Ilir Meta e prishi këtë traditë; Kushtetuta thjesht e futi në shina permanente.

Ndërkaq, unanimiteti i anëtarëve të Kushtetutës për të rikthyer një “normalitet” është një fillim i mbarë, pasi krijon gjasa, se ky kut apo kjo sjellje e tyre do të jetë edhe rastet e tjerë që ata duhet të gjykojnë, deri edhe tek shkarkimi i Presidentit të Republikës, që mund të bëhet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pra në rast se motivimi dhe provat që ofron Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës janë të qartë, nuk mundet që Gjykata Kushtetuese të veprojë ndryshe. Pasi një shkelje e rëndë, o është e tillë nëse motivohet dhe ka prova, ose krijohet precedenti që çdo tejkalim apo prekje të Kushtetutës nga çdo institucion i shtetit, të tolerohet duke mos e vënë epitetin “e rëndë”.

Pra Gjykata Kushtetuese, me natyrën dhe formën unanime të votimit të djeshëm, ka dhënë një sinjal se ajo do të veprojë më shumë si një “gardian” i intepretimit faktik të ligjit themeltar të shtetit, dhe jo një institucion i ri, që hyn në hise të Kuvendit, duke riformuluar apo nxjerrë legjislacion të ri… /Nga Ylli Pata



Më të lexuarat