Prapaskena

Kush është Hamasi dhe ku e merr sasinë e madhe të raketave që po lëshon në Izrael?

Publikuar: 18/05/2021

Kush e mbështet Hamasin dhe prej ku i marrin raketat? Kundërshtari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës po lufton me sasi të mëdha raketash Izraelin.

“Radikal islamik” – kjo fjalë kyçe përdoret rregullisht në disa media gjermane në lidhje me Hamasin. Gjatë përshkallëzimit të fundit, atribuimi ka ndryshuar: tani flitet më shumë për një organizatë terroriste islamike. Shumica e shteteve perëndimore bëjnë gjithashtu një vlerësim të ngjashëm.

Përjashtime janë Norvegjia dhe Zvicra, të cilat, duke iu referuar neutralitetit të tyre, mbajnë kontakte edhe me Hamasin – i cili në fund të fundit është edhe politikisht në pushtet në Rripin e Gazës që nga viti 2007.

Vendet e tjera shkojnë edhe më tej në mbështetjen e tyre.

Si arriti Hamasi atje ku është sot?

Hamasi u themelua në gjysmën e dytë të viteve 1980 dhe ishte që atëherë në opozitë me OÇP, Organizatën për Çlirimin e Palestinës të Jaser Arafatit. E diskutueshme është nëse në fillimet e tij Hamasi u mbështet edhe me para nga qeveria izraelite si një kundërpeshë – një skenar që të gjitha palët e refuzojnë sot me forcë.

Ndryshe nga OÇP-ja, Hamasi i mohon Izraelit të drejtën për të ekzistuar; emblema e Hamasit tregon Kupolën e Shkëmbit në Jeruzalem dhe, midis flamujve palestinezë, skicën e një shteti të pandarë palestinez, i cili përfshin edhe territorin e shtetit izraelit.

Arafati bëri paqe me Izraelin në 1993 si pjesë e Procesit të Oslos, duke i dhënë fund kështu Intifadës së Parë – por Hamasi nuk e njohu këtë dhe vazhdoi të kryente sulme në territorin izraelit.

Në vitin 2006, Hamasi fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet në Rripin e Gazës, të cilat u konsoliduan një vit më vonë me një veprim të ngjashëm me grusht shteti.

Që nga ajo kohë, territoret palestineze janë ndarë jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht: partia e moderuar Fatah nën Mahmoud Abbas sundon në Bregun Perëndimor.

Në Gaza, Hamasi i vazhdoi sulmet e tij “vetëmbrojtëse” ndaj Izraelit dhe ka patur tre shkëmbime me ushtrinë Izraelite: 2008/09, 2012 dhe 2014.

Kush e mbështet Hamasin?

Rripi i Gazës është një nga zonat më të populluara në botë. Ai dhe është mjaft i izoluar ekonomikisht me kufij të fortifikuar me Izraelin dhe Egjiptin në jug dhe lindje dhe Detin Mesdhe në perëndim.

Pjesë të mëdha të popullsisë jetojnë në varfëri të madhe dhe varen nga ndihma humanitare – e cila, megjithatë, kohët e fundit është pakësuar rëndë nën presionin e Presidentit të mëparshëm të SHBA, Donald Trump. Hamas vazhdon të gërmojë tunele kontrabandë për transportin e armëve, veçanërisht në drejtim të Egjiptit, megjithatë qeveria e atjeshme nuk ka interes ta lejojë këtë.

Një nga donatorët dhe aleatët më të rëndësishëm të Hamasit është Katari: në vitin 2012, Emiri ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi udhëheqjen e Hamasit në Gaza. Shteti i vogël i Gjirit deri tani ka transferuar më shumë se 1.5 miliardë euro. Sidoqoftë, Izraeli shpreson që Katari t’i bashkohet “Marrëveshjes Abraham” të iniciuar nga Trumpi dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, si disa shtete të tjera arabe.

Një aleat tjetër i rëndësishëm i Hamasit është Turqia: menjëherë para sulmeve të fundit me raketa nga Hamasi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i premtoi në një bisedë udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, se do ta mbështesë.

Nga vijnë raketat?

Zjarri me raketa, të cilat Hamasët i drejtojnë që prej së hënës drejt Izraelit i kapërcen kulmet e deritashme të përshkallëzimit duke u nisur edhe vetëm nga shifrat: të martën, Hamasi njoftoi se kishte goditur me 130 raketa brenda pak minutash – numër me të cilin që sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite “Iron Dome” (“Kupola e Hekurt”) e kishte të vështirë t’i përballonte. Që nga e premtja, ushtria izraelite numëroi më shumë se 1.800 predha të hedhura nga Gaza.

Kjo në një kohë kur çdo raketë mbrojtëse e “Kupolës së Hekurt” është shumë më e shkathët, precize dhe sigurisht më e shtrenjtë se ajo e sulmuesit.

Për një kohë të gjatë u përdorën në veçanti raketa nga Irani. Analisti Fabian Hinz, i cili është specializuar për raketat në Lindjen e Mesme, i tha transmetuesit publik gjerman ZDF: “Dihej që grupe të ndryshme e kanë zgjeruar masivisht arsenalin e tyre të raketave dhe se numri i raketave në dispozicion të tyre është në mijëra, konfirmuar disa herë nga burime izraelite”.

Kështu Jerusalem Post citoi këtë javë burime të inteligjencës, që deklaruan se madhësia e arsenalit të Hamasit përbëhet nga 5000-6000 raketa. Kësaj i shtohen deri 8000 raketa të tjera në pronësi të grupit Xhihadi Islamik, që bashkëpunon pjesërisht me Hamasin.

Sipas Hinzit, raketat iraniane ishin kontrabanduar prej kohësh përmes Sudanit dhe më në fund nga ana egjiptiane në Rripin e Gazës – por kjo nuk ka qenë aq e lehtë që kur diktatori sudanez Omar al-Bashir u largua nga pushteti në vitin 2019.

Ndërkohë, megjithatë, Hamasi thuhet se shumicën e raketave të tij i prodhon në vend, në Rripin e Gazës – pjesërisht me ndihmë të huaj.



Më të lexuarat