Prapaskena

Grupi “Për PD-në” sulmon kryetarin: Mbledhja e djeshme projektoi masakrën e Lulzim Bashës! Të gjithë prisnin ikjen e tij, por ai ka hallin e karriges

Publikuar: 17/05/2021

Grupi “Për PD-në”, pjesë e të cilit janë Bujar Nishani, Fatbardh Kadilli, Ristani etj, kanë dalë sot në një deklaratë të përbashkët, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar që u zhvillua dje në selinë blu.

Në deklaratën e tyre thuhet se gjatë mbledhjes nuk u diskutua masakra elektorale që pretendon Basha, por u projektua masakra e tij brenda PD-së.

Sipas asaj që shkruhet në dokument, Lulzim Basha tregoi edhe një herë se ka hallin e karriges së kryetarit dhe jo të vetë partisë apo popullit shqiptar.

“Kur të gjithë demokratët prisnin një analizë të thellë të zgjedhjeve të 25 prillit, marrjen e përgjegjësive dhe dorëheqjen e Kryetarit të Partisë, Lulzim Basha vendosi hapjen e zgjedhjeve të parakohëshme për kryetar partie”, thuhet në deklaratë.

Deklaratë e Grupit “Për PD-në”

17 maj 2021

Grupi “Për PD-në” vlerëson se mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike i cili kishte si temë të paracaktuar masakrën elektorale të Edi Ramës, në fakt projektoi masakrën elektorale të Lulzim Bashës.

Kur të gjithë demokratët prisnin një analizë të thellë të zgjedhjeve të 25 prillit, marrjen e përgjegjësive dhe dorëheqjen e Kryetarit të Partisë, Lulzim Basha vendosi hapjen e zgjedhjeve të parakohëshme për kryetar partie.

Ky vendim tregon se shqetësimi i Lulzim Bashës nuk është humbja e turpshme e zgjedhjeve të 25 prillit, as masakra elektorale por mbajtja e karriges së Kryetarit. Ai nuk priti as vendimet gjyqësore dhe as çertifikimin e zgjedhjeve për të cilët akuzoi për dy javë kundërshtarët e tij në parti, por ai rendi të çertifikonte veten e tij si kryetar.

Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë por eleminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.

Kryetari i Partisë emëroi në mënyrë krejtësisht të njëanshme një komision zgjedhor. Pra, ky komision zgjedhor është vegël e kryetarit dhe nuk siguron kushte të barabarta për konkurrencë të ndershme. Komisioni i emëruar prej kryetarit do të përcaktojë edhe kriteret e pranimit të kandidadurave. Pra, Kryetari përcakton kundërshtarët e tij.

Vendimi i Këshillit Kombëtar nuk trajtoi problemin themelor të zgjedhjeve për kryetarin e partisë në vitin 2017 që janë listat e anëtarësisë. Listat janë fiktive dhe nuk përfaqësojne realisht anëtarësinë dhe nuk ka transparencë në të gjithë këtë proces.

Atëherë pyesim Z. Basha si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Parti kur njëra palë kontrollon komisionin zgjedhor, listat e anëtarësisë, dhe kriteret e pranimit të kandidatëve?

Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në parti kur Kryetari që humbi zgjedhjet për herë të katërt, nuk jep dorëheqjen dhe rikandidon duke përdorur administratën dhe të gjitha burimet e tjera të partisë?

Si mund të marrë vendim për kandidatët për Kryetar Partie, Kryesia e Partisë anëtarët e të cilës kudo që ishin në garë kanë humbur?

Këto janë asgjë tjetër veçse vazhdim i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, me të njëjtat metoda dhe mjete.

Grupi “Për PD-në” i cili ka synuar marrjen e përgjegjësive politike nga Kryetari dhe Kryesia për humbjen e zgjedhjeve parlamentare, analizën dhe reformën në Partinë Demokratike, vlerëson se ky proces është i deformuar që në zanafillë, por ne jemi të bindur për të vazhduar këtë betejë politike.



Më të lexuarat