Çfarë fshihet pas vrasjes së Everest Çakas? Të gjitha pistat flasin për larje hesapesh. Gjendet një makinë e djegur në Golem

Pa Kategori

Publikuar: 12/05/2021

Çfarë fshihet pas vrasjes së Everest Çakas? Të gjitha pistat flasin për larje hesapesh. Gjendet një makinë e djegur në Golem

Një breshëri arme zjarri i ka marrë jetën mbrëmë në Elbasan 41 vjeçarit Everest Çaka ndërsa e plagosur ka mbetur bashkëshortja e tij Silvana Çaka.

Një vrasje e stilit mafioz ku të gjitha pistat të çojnë në një larje hesapesh dhe hakmarrje të mundshme, që duket se lidhet me disa pista ku familja Çaka ishte e përfshirë.

Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali.

Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami.

Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan.

Ngjarja ndodhi në vitin 2011, dhe i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.

Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se vrasja mund të ishte kryer nga Everest Çaka në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë.

Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë.

Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.

Vrasja e Everest Çakut mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të tij të hallës Arjan Spahiu i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020.

Arjan Spahiu

Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.

Ekzekutimi i Spahiut në Belgjikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg.

Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun.

Duket se të gjitha pistat rreth vrasjes së 41 vjeçarit në Elbasan të çojnë në larje hesapesh, ndërkohë policia e prokuroria janë duke vijuar hetimet.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen Skëndërbej teksa çiftit që udhëtonte me makinë ju bë pritë dhe u qëlluan disa herë.

Duket se vrasësi ka pasur shënjestër të saktë përderisa bashkëshortja e Çakajt mori vetëm një plumb në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në fshatin Kryemëdhenj, Golem, është gjetur i djegur plotësisht një mjet tip “Benz”, pa targa, i cili dyshohet se i përket autorëve të vrasjes së Everest Çakas.