Një ngajrje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme, ku raportohet se 3 pjesëtarë të një familje nga Gjilani kanë humbur jetën.
Ata dyshohet se kanë vdekur nga helmimi i ushqimit, të cilin e kanë konsumuar në Shqipëri. Dy prej tyre kanë humbur jetën ditën e djeshme, ndërsa i treti ka ndërruar jetë sot.
Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili me anë të një letre publike ka shprehur ngushëllimet për familjen Haliti.
“Me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Familje e dashur Haliti, ju lus që të bëheni të fortë për ta përballuar këtë tragjedi që na tronditi të gjithë. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në reagimin e Hazirit.