Policia u sinjalizua 2 javë më parë për drogën që po vinte nga Ekuadori, kokaina erdhi për llogari të 3 grupeve kriminale

Pa Kategori

Publikuar: 11/04/2021

Policia u sinjalizua 2 javë më parë për drogën që po vinte nga Ekuadori, kokaina erdhi për llogari të 3 grupeve kriminale

Informacione të reja janë zbuluar në lidhje me operacionin anti-drogë që u zhvillua dje në portin e Durrësit dhe u finalizua me sekuestrimin e 143 kilogramëve kokainë.

Burimë bëjnë me dije se policia ishte sinjalizuar që dy javë më parë se një sasi e madhe droge ishte nisur nga Guayaquil dhe që prej atij momenti, “alarmi” ishte vënë në port.

Megjithëse arriti të kalonte pa problem në portin e Gioia Tauros në Itali, konteineri u kap në Durrës, menjëherë sapo kaloi në skaner. Skaneri dha sinjal të kuq dhe administratori Klajdi Xibraku i “Masabi fruits” u thirr në polici.

Në këtë moment u sharrua tavani i konteinerit ku u gjet droga e paketuar dhe me posterin e Pablo Escobar në krye. Administratori Klajdi Xibraku u prangos menjëherë ndërsa Erjon Peti, kushëri me të, njëherazi partner në biznes u prangos më vonë.

Të dy mohojnë pronësinë e drogës ndërsa pranojnë se merren me shitje frutash. Dyshimet e prokurorisë së Durrësit janë se droga erdhi në Shqipëri për tu marrë në dorëzim nga 3 grupe kriminale. Hetimet vazhdojnë ndërsa dy të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës pas 72 orësh.