Report Tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, sollën sondazhin e gjashtë për zgjedhjet politike të 25 prillit. Nëse do të votohej, sot Partia Socialiste do të fitonte bindshëm. Sipas sondazhit të Piepolit, PS fiton 69-73 mandate ose 48-52 % të votave në rang vendi.
Në krahasim me zgjedhjet e 2017 ku morën 43 mandate, PD dhe aleatët njohin rritje ku sipas sondazhit të sotëm mund të marrin 39-43 % të votave e përkthyer në 56-58 mandate.
Ajo që shënon tkurrje të votave krahasuar me 2017 është LSI, e cila merr 3.5-7.5 % të votave e përkthyer në 8-10 mandate. Në rang vendi lufton për dy mandate edhe partia e Jozefina Topallit, Lëvizja për Ndryshim dhe Partia Nisma Thurje, ndërsa PSD e Tom Doshit lufton për një mandat.
Instituti Piepoli i cili prej 60 vitesh realizon në Itali sondazhe zgjedhore për RAI-n dhe për televizionet më të rëndësishme kombëtare, ka bërë një marrëveshje me Report Tv për të ndjekur gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri deri më 25 prill 2021. Edhe më parë falë këtij bashkëpunimi Instituti prestigjioz Piepoli arriti të parashikonte saktësisht zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe 2017 në Shqipëri.