Prapaskena

Të gjitha vaksinat kundër Covid-19, janë njëlloj të vlefshme për t’u injektuar në krahun tuaj

Publikuar: 28/03/2021

Nga Monica Gandhi

Specialiste e sëmundjeve infektive dhe profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Françisko.

Javën që shkoi, FDA-ja amerikane autorizoi përdorimin e vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson kundër Covid-19, duke iu shtuar 2 vaksinave të tjera të Pfizer-BioNTech dhe Modernas, të autorizuara që në dhjetor 2020.

Autorizimi i kësaj vaksine, është një fitore e madhe për shëndetin publik. Por kjo vaksinë ka një imazh më të keq, në krahasim me konkurrentet e saj. Në dallim nga vaksinat e mARN-së që dolën për herë të parë në treg, ajo e Johnson & Johnson është një vaksinë e bazuar në ADN-së njerëzore, pra funksionon duke përdorur një teknologji të provuar, e cila është më e njohur për publikun, dhe që ka më pak efekte anësore.

Por kjo nuk do të thotë, se kjo vaksinë është e një teknologjie të ulët, apo në një farë mënyre më inferiore. Rezultatet paraprake të testeve, përmendin një efikasitet të përgjithshëm prej 66 për qind, një normë që krahasuar me efikasitetin e Pfizer dhe Moderna, mund të duket si jo shumë optimale.

Por një vështrim nga afër i provave dhe rezultateve të tyre, zbulon një kontekst të rëndësishëm mbi këtë shifër, dhe faktin se vaksina me një dozë Johnson & Johnson, ofron

një mbrojtje të barabartë me vaksinat e mARN në rrethana të caktuara.

Ajo ishte gjithashtu e vetmja vaksinë nga të tria, që tregoi një mbrojtje të nivelit të lartë kundër sëmundjeve të rënda nga variantet e Covid-19, dhe që po qarkullojnë që nga koha e provave të saj, pasi testimet u kryhen gjatë kohës që shumë prej këtyre të fundit ishin tashmë të përhapura.

Pra, ndonëse mund të mos ketë pasur të njëjtin efikasitet si vaksinat e mARN, kjo vaksinë më e re, nuk është më pak e denjë apo e vlefshme për krahun tuaj. Së pari, le të shohim pikat e forta të testeve të Johnson & Johnson. Popullata gjatë provës së Fazës III ishte më e larmishme midis grupeve racore/etnike, sesa testet e Pfizer ose Modernas.

Në testet e vaskinës së Johnson & Johnson, pak më shumë se një e pesta e pjesëmarrësve ishin 65 vjeç ose më të vjetër, ndërsa 40 për qind kishin të paktën një sëmundje, që mund t’i bënte ata të rrezikuar nga një Covid-19 e formës së rëndë.

Nga 43.783 pjesëmarrës të regjistruar, 62.1 për qind ishin të bardhë, 17.2 për qind afro-amerikanë, 8.3 për qind indianë të Amerikës dhe 3.5 për qind aziatikë. Ndërkohë 45.1 për qind e pjesëmarrësve ishin hispanikë/latinë.

Ndërkaq, pjesëmarrësit në provat Pfizer dhe Moderna ishin përkatësisht 82.9 për qind dhe 79.2 për qind të bardhë. Edhe rezultatet e testit të vaksinës së Johnson & Johnson, ishin po aq mbresëlënëse. Testet e Fazës I dhe II të vaksinës, ofruan dhëna të forta për imunogjenitetin, ose aftësinë e vaksinës për të shkaktuar një përgjigje imune, një përgjigje që u zbulua se rritet ndjeshëm 1 muaj pas vaksinimit.

Gjithashtu u zbulua se kjo vaksinë mbron në 100 për qind të rasteve të prekurit nga koronavirusi, për të shmangur shtrimin në spital apo vdekjen. Konkretisht, pati 16 shtrime në spital të lidhura me Covid-19 dhe 7 vdekje tek ata që morën placebo, dhe asnjë shtrim në lidhje me Covid-19 apo vdekje nga ata që morën vaksinën.

Për më tepër, efikasiteti i kësaj vaksine kundër sëmundjes së rëndë 2-4 javë pas vaksinimit ishte 85.7 për qind, megjithëse gjasat e sëmundjes së rëndë (pa pasur nevojë për shtrim në spital) ishin shumë të pakta. Edhe më e rëndësishme të theksohet, duke pasur parasysh garën aktuale kundër varianteve të Covid-19, është se efikasiteti i vaksinës Johnson & Johnson kundër sëmundjes së rëndë, ishte i njëjtë në të gjithë rajone me përqindje të lartë të varianteve që qarkullojnë kudo, si ai i Afrikës së Jugut dhe Brazilit.

Megjithatë efikasiteti i vaksinës kundër sëmundjeve më të lehta që nuk kërkojnë kujdes mjekësor, ndryshonte sipas rajonit. Kjo gjë ka të ngjarë të jetë rezultat i prevalencës së variantit. Mbrojtja ndaj sëmundjes më të lehtë, u gjet të ishte 72 për qind në SHBA, 64 për qind në Afrikën e Jugut dhe 68 për qind në Amerikën Qendrore dhe atë Jugore.

Ky është momenti ku vaksina me një dozë Johnson & Johnson, krahasohet në mënyrë të pafavorshme me vaksinat mARN, ku efikasiteti për format e rënda ishte gjithashtu në thelb 100 për qind, dhe efikasiteti ndaj formave më të buta ishte gjatë testeve më shumë se 94 për qind.

Por kuptimi i kontekstit të këtyre ndryshimeve, është shumë i rëndësishëm. Vaksinat funksionojnë në mënyra të shumëfishta, duke nxitur antitrupa që zakonisht ofrojnë më shumë mbrojtje afatshkurtër apo mbrojtje nga sëmundjet e lehta.

Përtej testeve dhe rezultateve të tyre shumë premtuese, vaksina e Johnson & Johnson ofron ndërkohë avantazhe logjistike që të tjerët nuk i kanë. Pasja e vetëm një doze e bën më të lehtë për t’u administruar, dhe për këtë arsye pritet një shpërndarje më e shpejtë e vaksinës J&J.

Për më tepër, vaksinat me adenovirus-ADN mund të ruhen në frigoriferë normalë si ato që kemi të gjithë në kuzhinë, dhe kjo që mund ta bëjë më të lehtë transportimin dhe administrimin sesa vaksinat mARN që kërkojnë ruajtje në temperatura më të ulëta.

Dhe një përhapje më e shpejtë përkthehet në një rezultat tepër të rëndësishëm: një rrugëtim më i shpejtë drejt arritjes së imunitetit të tufës. Sa më shumë njerëz që bëhen imunë, përmes infeksionit ose vaksinimit, aq më pak ka të ngjarë që një person jo imun të takojë një person jo imun për t’ia kaluar virusin.

Pavarësisht fokusit të kohëve të fundit tek norma e efikasitetit pa marrë parasysh kontekstin, vaksina e Johnson & Johnson, nuk është inferiore ndaj të tjerave. Gjëja më e rëndësishme, është që të gjithë të marrin çfarëdolloj vaksine që kanë mundësi, si për sigurinë e tyre, ashtu edhe për sigurinë e atyre përreth. / “Wired.com”



Më të lexuarat