KQZ: Partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje

Pa Kategori

Publikuar: 19/03/2021

KQZ: Partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë apel partive politike që të tregojë vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike e elektorale të tyre. Institucioni qendror i zgjedhjeve në vendin tonë thotë se sjellja dhe retorika e udhëheqësve të partive politike ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, po ashtu edhe në cenimin e standardeve të zgjedhjeve.

“Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 Prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre. Duhet mbajtur në vëmendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politik ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cënimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.

Më tej, thuhet se partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.

“Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit. Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurrentët e tyre. Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike”.

Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ i bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë angazhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.

“Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit”.