Për disa vite me radhë, Lumi Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e rrëmbyeshëm dhe të ‘egër’ të vendit tonë, është në rrezik. Shumë organizata vendase dhe të huaja kanë ngritur zërin për moslejimin e ndërtimit të hidrocentraleve në atë pjesë të lumit.
Pjesë e këtij reagimi, tashmë prej disa kohësh, është edhe ylli i filmit amerikan, Leonardo Di Caprio.
Sot në profilin e tij Facebook, Leonardo DiCaprio ka reaguar sërish për lumin Vjosa dhe i është bashkuar peticionit të ndërmarrë për mbrojtjen e tij. Aktori i njohur ka publikuar pamje nga “Vjosa Forever”, një dokumentar i shkurtër që iu bën thirrje njerëzve të bashkohen në luftën për të ruajtur të ardhmen e Vjosës ndërsa apelon të sjellin vëmendjen ndërkombëtare për katastrofën mjedisore që mund të ndodhë nëse mbetet e pambrojtur.
“Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Evropë. Nga malet e Greqisë deri në Detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet në 300 kilometra, plotësisht i lirë nga barrierat artificiale, si digat e hidrocentraleve. Lumenjtë dhe përrenjtë që janë degë të Vjosës janë shtëpia e më shumë se 1.100 specieve të botës së egër, shumë prej të cilave janë të kërcënuara. Vjosa është kurora e #BlueHeartofEurope dhe njerëzit në të gjithë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë për të krijuar #VjosaNarkParkNow, i cili do të ishte parku i parë i lumit të egër në Evropë. Le të qëndrojmë me ta. Klikoni në lidhjen në bio për të parë filmin dhe nënshkruar peticionin”, shkruan DiCaprio.