Si sot 30 vite më parë, më 20 Shkurt 1991, është rrëzuar busti i diktatorit Enver Hoxha. Është konsideruar si sinjali i parë i kthesës së madhe, si kumti i parë i zgjimit popullor, i ndryshimit, i lëkundjes së themeleve të regjimit komunist etj.
Busti u rrëzua në një kohë kur vendi ndodhej në një situatë të rënduar politike. Kishte vetëm dy muaj që ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri më 31 mars 91.
Revolta popullore kishte nisur që me protestat e studentëve me fund të dhjetorit për t’u shpërndarë më pas në çdo qytet të Shqipërisë.
Rrëzimi i busteve të diktatorëve komunistë kishte nisur në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe po shpërndahej me shpejtësi në gjithë vendin.
Një natë para shembjes së bustit në qendër të Tiranës një grup i madh studentësh vendosën të hyjnë në grevë urie, duke përcaktuar një sërë kushtesh drejtuar qeverisë së PPSH ndër të cilat edhe heqjen e emrit Enver Hoxha universitetit të Tiranës.
Sot, partitë që dolën nga hiri i regjimit komunist, e kanë veshur me një mistikë, retorikë dhe mantel politik banal këtë ngjarje. Partia Demokratike e konsideroi dje rrëzimin e bustit të Stalinit, si triumf mbi partinë në pushtet, ndërsa mbajti edhe një aktivitet në Shkodër në cilësinë e partisë që rrëzoi bustet.
Por, nga ana tjetër, ka dëshmi dhe dokumente që busti u rrëzua nga vetë Ramiz Aliaj.
Sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli ka deklaruar se “Rënia e bustit ishte pjesë e planit për ndryshim. Kështu, Rënia e busteve filloj me heqjen e bustit të Stalinit. Busti u hoq natën, me urdhërin tonë. Kush mund ta hiqte bustin e Stalinit dhe të Enverit po mos të donim ne?
A imagjinohet dot? Kështu, busti i Stalinit u hoq natën pa bërë zhurmë dhe pa asgjë, nga një grup ndërtuesish, me urdhër të udhëheqjes.
Ata ishin urdhëruar nga udhëheqja. Pastaj u hoq pa zhurmë edhe Lenini. Ramizi e kishte problem, kërkonte që do t’i hiqeshin bustet që u kishte ikur koha. Madje, një herë, Ramizi më tha mua në afrimitet: Po na ikën koha ne, jo më busteve.
U hoq edhe në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” busti i Stalinit. Ramizi i hiqte me taktikë dhe gradualisht.
Ramizi jepte urdhra natën për të shembur bustet dhe ditë thoshte; Ou, pakan hequr edhe këtë bust. Paskan hequr edhe atë bust?! Ç’bëhet kështu! Tani dalin heronj”.