Prapaskena

Kim i jep fund spekulimeve: Rama më ka garantuar se Tom Doshi nuk do të jetë në qeveri

Publikuar: 11/02/2021

Pas deklaratave të diplomates amerikane në lidhje me mos kandidimin e Tom Doshit për zgjedhjet e 25 prillit, në kahun opozitar u aludua se Kim po shnjestronte kryeministrin Edi Rama, për përfshirjen e njerëzve të krimit në listën e deputetëve.

Por ditën e sotme ambasadorja amerikane u ka dhënë fund spekulimeve, duke nënvizuar se ajo ka pasur një bisedë të qartë me kreun e qeverisë në lidhje me emërtimin e Tom Doshit.

Kim nënvizon se kryeministri Rama i ka kujtuar se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste.

Po ashtu, ambasadorja amerikane zbulon se kreu i qeverisë, i ka theksuar se se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë.

“Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patën një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”, shkruan Yuri Kim.

Pak ditë më parë Yuri Kim, në vijim të apelit për kandidatë të pastër për zgjedhjet e 25 prillit ka rikujtuar vendimin e DASH për Tom Doshin, të cilin e ka futur në listën e zezë.

Sakaq kryeministri Edi Rama i pyetur në lidhje me këtë deklaratë, tha se sa herë që ta pyesin për ambasadoren nuk do të japë asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër partia e PSD-së, e Tom Doshit depozitoi një ditë më parë në KQZ kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e 25 Prillit.



Më të lexuarat