Prapaskena

SPAK merr nën hetim 23 ish-gjyqtarë VIP, 9 dosje për ish-anëtarët Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese (emrat)

Publikuar: 24/01/2021

Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton 23 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të profilit të lartë, ku 9 dosje janë hapur për ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta para vitit 2014, por që sot janë shkarkuar dhe vetëlarguar nga drejtësia, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

23 njerëzit e drejtësisë së vjetër që po shembet nga Vetingu, po hetohen për pasuri të paligjshme, fshehje dhe mashtrim me deklaratat e pasurisë, vepër penale kjo e parashikuar neni 257/a i Kodit Penal. Shqiptarja.com kërkoi pranë SPAK dhe ILDKPKI emrat e gjyqtarëve që u janë hapur dosjet e pasurive, por që të dy institucionet thanë se emrat konsiderohen sekret.

Megjithatë, hetimi i 23 ish-gjyqtarëve të profilit të lartë reflektohet nga një dokument i qeverisë së ditëve të fundit, për planin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për periudhën 2021-2023, ku një nga kolonat kryesore është lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta.
Qeveria ka marrë informacion të detajuar nga SPAK mbi dosjet e korrupsionit, duke i reflektuar në dokument. Mësohet se në këtë aksion anti-korrupsion nuk përfshihet dy dosje të ish-kryeprokurorit dhe kallëzimi i avokatit Fran Dashi për 20 ish-magjistratë.

“SPAK ka filluar procedime penale kundër 23 ish-magjistratëve, duke përfshirë 9 çështje në lidhje me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Hetimet e pasurisë në lidhje me këto raste janë ende në proces. Sipas të dhënave të SPAK, ka pasur së paku 22 raste të referuara ndaj kësaj strukture për fillimin e procedimit penal në 2020 në lidhje me zyrtarë të lartë”, thuhet në dokumentin e qeverisë të siguruar nga Shqiptarja.com.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese të shkarkuar nga organet e Vetingut janë: Bashkim Dedja, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari, Admir Thanza, Tom Ndreca, Edmond Islamaj dhe Artan Broci.

Majlinda Andrea është dënuar për korrupsion, ndërsa kanë dhënë dorëheqjen Mirela Fana, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani, Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo. Në të gjithë sistemin, kanë dhënë dorëheqjen 56 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa janë shkarkuar 110.

Hetimi dhe ndëshkimi i njerëzve të drejtësisë, të cilët i rrëzoi ‘kosa’ e Vetingut është një kusht i vendosur nga Brukseli për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Në nëntor të vitit 2020, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u kujtoi autoriteteve shqiptare plotësimin e këtij kushti.

Në fund të 2020, kreu i SPAK, Arben Kraha paralajmëroi se të 2021 do të jetë një vit i vështirë për të korruptuarit. Në 13 janar 2021, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se “Ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi”. (Shqiptarja.com)



Më të lexuarat