Prapaskena

Krim pas krimi / Të gjitha faktet përse SPAK duhet të thërrasë Berishën për 21 Janarin!

Publikuar: 22/01/2021

Nga Mero Baze

Të parin që pashë duke u rrëzuar në tokë, edhe pse nuk qenkësh i vrari i parë, ishte Hekuran Deda, i cili u rrëzua nga tavolina ku ishin gazetarët. Mu duk sikur u rrëzua se e shtyu dikush, por në të vërtetë ishte qëlluar. Hodha sytë nga TV Klani dhe aty pashë një njeri që ishte rrëzuar, por jo tek vendi i Hekuranit. Diçka më lart, afër derës. Ishte e pabesueshme për të gjithë se ato që po shikonim ishin vrasje. Kur i ripamë më vonë në mbrëmje, dukej që vrasja tek dera kishte ndodhur disa sekonda më parë se vrasja tek tavolina e gazetarëve, por gjithsesi nga e njëjta batare.

Nuk dija kë të pyesja nëse ishin vrasje apo plagosje. Me sytë nga rruga shiheshin pak çaste më vonë persona që transportonin të plagosur të tjerë. Një koleg i Vizion Plusit më tregoi si i rrëmbyen furgonin e transmetimit për të çuar në spital një nga viktimat, ndërsa shiheshin njerëz të plagosur dhe të trembur, që po shpërndaheshin.

Tentova t’i telefonoj disa herë Preç Zogajt, por nuk funksiononte telefoni. I nisa një sms ku i thosha afërsisht se dikush mund të jetë vrarë. Ishim krejt të paqartë. Telefoni funksionoi me sms, por me thirrje jo.

Pak më vonë Edi Rama doli në konferencë për shtyp. Bëri thirrje të qetësoheshin dhe të ktheheshin në shtëpi. Nuk përmendi të vrarë, edhe pse vrasjet kishin ndodhur. As ai nuk dinte gjë. Ja përsërita thirrjen Zogajt, por pa sukses. Mu bë fiksim që kishin qëlluar njerëzit sipër Kryeministrisë. Aty u shfaq dhe komandanti i Gardës dhe një bodigard i familjes Berisha, dhe disa tipa që mu fiksua se mund të kishin qëlluar.

Disa orë më vonë, rreth orës 20:00, Tom Doshi u kthye nga Spitali Ushtarak me një CD në dorë. Kishte marrë skanerin e Aleks Nikajt, të vrarit ende të pavdekur. Ishte qëlluar me një plumb që i hynte nga sipër poshtë. Edi Rama ishte i dërrmuar dhe i pafuqishëm. Ishte tmerruar nga vrasjet dhe nuk kishte asnjë ide se çfarë duhet të bënte më tej.

Në mbrëmje, kur Artanit i kërkova të më nxirrte prej kameras qitësin anash Kryeministrisë, ata sipër tarracës dhe ata që ishin tek shkallët, ndryshoi gjithë historia. Artani, pasi më nisi fotot e para, mori i lumtur për zbulimin që kishte bërë News 24. Duke riparë gjithë filmimet e kameras, në të vërtetë dukej qart kush kishte vrarë.

Nuk jam i sigurtë nëse Sali Berisha, bashkë me idenë se duhet të vriste, kishte ndërmend dhe mënyrën se si do t’i fshihte vrasjet, por pak pasi i vrau, duket se e kishte fiksuar skenarin A, sipas të cilit,  viktimat i ka vrarë vetë opozita. Pasi kjo u hodh poshtë nga filmimet, ai nxitoi drejt skenarit B, që ata u vranë se ishte grusht shteti. Dhe këtu ka vend të hetohet dhe si autor me dy versione për vrasjet.

Dështimi i skenarit për të fajësuar opozitën për vrasjet

Në daljen e tij të parë publike më 21 janar në mbrëmje, e tha qartë atë: “Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e Benalive shqiptarë. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës.

Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.

Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune: Largohu kriminel, na vrave vëllanë, dhe në prani të personelit do ta nxirrte jashtë nga dhoma.

Motra e shkretë, megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por që nuk kishte humbur arsyen, i dha atë që meritonte këtij shoku.”

Kush e lexon këtë deklaratë të kryeministrit kohë më vonë, e kupton qartë se kur doli para medies, ai ka qenë i vendosur t’i hidhte kufomat në shpinë Edi Ramës. Deklarata tregon qartë po ashtu se Berisha ka mbajtur kontakt thuajse të drejtëpërdrejtë me Spitalin Ushtarak.

Paragrafi që Berisha flet për një gjoja incident, i vishet Preç Zogajt, kur ka shkuar tek dhoma e Aleks Nikajt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Siç më shpjegoi vetë Zogaj, Aleksi ishte një mik i shtëpisë së tij dhe ai ishte realisht i dërrmuar nga ideja se Aleksi mund të vdiste. Ishte vëlla i vetëm i katër motrave dhe kishte dy vajza të vogla.

Berisha ishte vigjilent ndaj këtyre detajeve, dhe e kishte kompletuar skenarin e tij, që nga mënyra si ishin gjuajtur, deri tek detajet se si populli fajësonte opozitën për vrasjet.

Para se Sali Berisha do të dilte në konferencën për shtyp në orën 19: 30 minuta, ai i kishte kërkuar Lulzim Bashës një raport shpjegues për atë që ndodhi.

Në zyrën e Lulzim Bashës kishte trokitur ndërkohë një person misterioz, i lidhur shumë me Ambasadën ruse dhe i bezdisshëm për Policinë e Shtetit, për shkak të letrave që i kishin.

Gjysëm delirant dhe konspirativ, ai i ka dorëzuar Bashës një raport të “hollësishëm” për armët që kanë përdorur demonstruesit, çadrat pistoletë, thikat me helm paralizues etj. Basha ka marrë “raportin” dhe ka pyetur disa krerë të policisë për këtë gjë. Të gjithë ja kanë refuzuar vërtetësinë dhe i kanë shpjeguar që personi përveçse është i pabesueshëm dhe me probleme integriteti, ka dhe lidhje të forta me rusët.

Basha anonte më shumë nga policët, por Berisha ishte duke i kërkuar një gjë justifikuese. I paaftë, i paburrë dhe i papërgjegjshëm për t’i dalë zot vendit të punës që kishte, ai i çoi Berishës në zyrë dhe këtë raport, duke ja thënë me gjysëm zëri, që nuk e besonte plotësisht.

Berisha e përpiu me sy raportin. Ishte një fanepsje paradhënie e “qytetarit të sotëm digital”, një skenar që do të kishte dashur ta shkruante me dorën e tij.

-Kjo është, i tha. E ka gjetur!

-Shiko se më duket ky është i ngatërruar dhe me rusët pak, siç më thanë ata të policisë.

-Leri ata, e ka gjetur, i tha.

Dhe e kam parasysh si i ka shkëlqyer fytyra nga tinzaria që kishte gjetur diçka që nuk e besonte as vetë, por që fantazia e dikujt tjetër po e lehtësonte.

Dhe doli më 19: 30 para shqiptarëve dhe e lexoi fjalë më fjalë, duke përmendur çadrat pistoletë, thikat me helm dhe armë të tjera suprizë.

Në ekranet e pushtetit filloi të keqpërdorej një pamje e vdekjes së Ziver Veizit, duke shpjeguar sipas oreksit lëvizjen e një plaku të hutuar nga vrasja. Ajo që kishte ndodhur ishte tragji-komike. Ndërkohë që të gjithë ishin të shokuar nga vrasjet, Berishën e kishin njoftuar se A.B, një ish- zëdhënës i PD në fund të viteve ‘90, që bënte në atë kohë në TVSH një emision javor, “kishte zbuluar vrasësin”. Ai kishte montuar në kompjuterin e tij në shtëpi, skenën kur një plak i afrohet Ziver Veizit, pak sekonda para se të rrëzohej në tokë. Me pak mundim, me rrathë të kuq, e disa shigjeta, ishte munduar të shpjegonte vrasjet e Gardës si vrasje nga turma. U shkulën të gjithë e shkuan tek shtëpia e A.B. Që nga Berisha e Luli, e deri tek Sandri dhe Policia e Shtetit. Ai tregonte paksa i krekosur për çfarë kishte zbuluar.

-Kjo është, tha Berisha. Merre Sandër, transmetoje!

Luli ishte kthyer nga Agron Koliqi dhe e kishte parë në sy, nëse vlente ajo video. Koliqi kishte tundur kokën duke e quajtur budallëllëk. Luli nuk kishte folur. Zëri i Berishës ishte më i fortë se mohimi me shenja i Koliqit, dhe paniku i Bashës. Dhe pak minuta më vonë gjithçka ishte në TV Klan dhe vazhdon edhe sot si legjendë urbane.

Por në mbrëmje vonë News24 publikoi pamje të plota, filmuar nga vendi ku ne rrinim në “Kullat Binjake”. Këndi i gjerë i pamjes i përfshinte të gjithë vrasësit dhe të vrarët. Shihej qartë që gardistët kishin qëlluar dhe vrarë.

Shihej qartë një ushtarak i Gardës që kishte qëlluar në drejtim të njerëzve. Kamera kapte flakën e automatikut dhe rrëzimin e viktimës në një kohë. Ishte një mrekulli optike. Berisha nuk e priste këtë.

Vetëm pak çaste më parë, në orën 19:30 ai kishte spekuluar pikërisht me këtë fakt. Pasi shpalosi skenarin e tij haluçinant, ofruar nga një njeri i shërbimeve ruse, ai tha ndoshta gjënë më të rëndë që ka thënë ndonjë kryeministër në botë. Duke ju drejtuar gazetarëve me një ton pyetës kërcënues, për të mos dëshmuar atë që panë, ai shkoi edhe më tej, duke kërcënuar njërin prej tyre që të mos dëshmonte, që për pak do ishte vrarë.

Ishte fjala për reporterin e ABC News, Fatos Mahmutaj. Me një portret të hallakatur nga makthi i vrasjeve dhe lajmet që i vinin çdo çast për viktimat, dhe adrenalinës që i jepte ideja se e kishte gjetur zgjidhjen, ai ju drejtua gazetarëve:

“Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”

Ishte duke i kërkuar gjithë gazetarëve të fshihnin ato që kishin në kamera, dhe veçanërisht një gazetari, të fshihte dhe kujtesën e tij, atë që kishte përjetuar si vrasje e sigurtë, plumbin që i kishte shpuar trupin.

Fatos Mahmutaj ishte mbi tavolinën e vendosur për kamerat përbri Kryeministrisë, një vend i shenjtë për çdo  ngjarje apo konflikt, që nuk preket nga asnjë palë. As në luftërat e përgjakshme nuk qëllon njeri mbi tryezën e gazetarëve. Sali Berisha qëlloi. Një plumb kapi Fatos Mahmutaj dhe i përshkroi dorën tej e tej, dhe tjetri kapi Hekuran Dedën, një protestues që ndoshta ka menduar se tek tavolina e gazetarëve e kishte jetën më të sigurtë, duke e konsideruar shtetin normal.

Sali Berisha ishte duke i kërkuar këtij gazetari, të mohonte dhe vetveten, dhe historinë që kishte të bënte me të.

Ishte i sigurtë se askush nuk kishte filmuar vrasjet në mënyrë diskredituese. Dhe mbi të gjitha, ishte i tërbuar që Fatos Mahmutaj, reporteri i ABC News, një kanal i perandorisë së tij korruptive, kishte qenë në krah të Hekuran Dedës kur u vra, ishte plagosur dhe kishte rënë i lemerisur nga tavolina. Vëmendja e Berishës shkoi deri tek ai.

Donte ta poshtëronte që të mbyllte gojën. Dhe padronët e tij tentuan t’ia mbyllin. Në një histori të paprecedentë në medie, drejtuesit e ABC News nuk pranuan të quanin gazetarin e tyre të plagosur, vetëm pse kështu prishej skenari A i Sali Berishës.

Skenari B i “Grushti i shtetit”

Dalja e kamerave nga News 24, e kishte tërbuar. Të nesërmen në një dalje të re para mediave volli vrer dhe për të. I zënë ngushtë nga gazetarët të komentonte pamjet e tij, ai iu vërsul atij me epitete fyese.

“Informatat e para janë ato që kam thënë dje, por kam thënë edhe se Prokuroria e shtetit duhet të zbardhë të gjitha rrethanat, nga kanë dalë, nga kanë ardhur, kush ka qëlluar e të gjitha me radhë. Unë shoh një media që po me një tjetër çakall të Sigurimit bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë dhe gjykatësin, dhe prokurorin, dhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij.”

Ishte destabilizuar. Skenari A i ishte shfryrë si flluskë sapuni. Kufomat e viktimave që tentoi t’ia faturonte opozitës, i kishin mbetur në oborr të vet. I kishte mbetur gjaku brenda gardhit të tij.

Tani duhet t’u jepte zemër vrasësve që të mos e tradhtonin. Pasi i mbajti peng në oborr të Kryeministrisë, pasi i mjekoi dhe i shpërbleu me rroga shtesë, pasi u premtoi shtëpi pjesëtarëve të “Grupit të Zjarrit”, dhe pasi u shfaq publikisht me komandantin e Gardës me sy të nxirë nga rrahja, filloi të flasë për një fenomen të ri, për një “Grusht shteti” organizuar nga presidenti, kryetari i opozitës, kryeprokurorja, SHISH dhe media.

Njoftimin zyrtar e bëri në mbledhje të qeverisë më 23 janar, ku foli për “skenarin e një puçi, e një përpjekje të qartë, evidente për të marrë pushtetin me dhunë, nga një treshe, tashmë e njohur, Edvin Kristaq Rama dhe dy ministrat e diktaturës komuniste, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi.”

Sokol Olldashi ma pat shpejguar përfshirjen e Bamirit në listë më shumë si pafuqi të Bashës për të kundërshtuar paranojën e Berishës.

Pak para se të ndodhnin vrasjet, ai ka urdhëruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë të merrnin në kontroll godinën e Kryeministrisë, dhe të evakuonin Berishën. Në oborrin e Kryeministrisë drejtuesit e FNSH janë përplasur me komandantin e Gardës, i cili kishte marrë urdhër për të qëlluar dhe jo për t’u evakuar. Ai ka zbuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë, duke komunikuar dhe me Lulzim Bashën, dhe duke i treguar se Kryeministria është në juridiksion të Gardës dhe ai ka urdhër ta mbrojë. Pas kësaj ka filluar breshëritë mbi njerëzit që ishin duke ikur, duke plagosur rreth 30 vetë, 4 prej të cilëve vdiqën.

Ndërkohë më 23 Janar, kur Berisha e shpalli Bamir Topin “puçist” , Lulzim Basha ka shkuar i trembur në zyrën e Sokol Oldashit. Sokoli ma ka përshkruar atë takim po ashtu, si të pafajshëm.

-Erdhi në zyrën time. Tani i duhej të përballej me tensionin e dinamikës së ngjarjeve. Situata perceptoi dhe po shkohej drej tnje skenari politik.  Luli u lidh me Bamir Topin. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye, ishte më i qetë.

-Si shkoi biseda, i thashë?

-Mirë, më tha. Nuk m’u duk negativ. Kur dola, më tha bëni kujdes me letrat, se ka ngjarje.

Por si i tregon Bamir Topi kete moment?

Të nesërmen, më datë 23 janar, ditë e diel, herët në mëngjes mora një telefonatë nga Lulzim Basha, ministër i Brendshëm dhe pas përshëndetjes së rastit kërkoi të më takojë. Rreth orës nëntë të atij mëngjesi e prita Lulin në zyrë të improvizuar në banesën time. Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve.

–Mirëmëngjesi, mirë se erdhe! –hapa bisedën.
–Mirëmëngjesi! Ndoshta herët se është dhe e diel! –më tha.
–Jo, i thash. Jam pothuajse pa gjumë gjithë natën duke ndjekur ç’po ndodh. Meqenëse jemi këtu, ç’po ndodh në këndvështrimin tënd në marrëdhëniet me prokurorinë? – vazhdova bisedën. Pas një hezitimi të shkurtër më thotë: “Në fakt për këtë çështje erdha të bisedoj! Ne jemi të shqetësuar për urdhërndalimet e zinxhirit komandues të Gardës”! Ai jo vetëm kishte ardhur me urdhrin e Saliut, por po përsëriste besnikërisht të njëjtat fjalë që shefi i tij i kishte thënë publikisht një ditë më parë. -Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij”, rrëfen Topi.

“Kjo ishte sipas meje çasti që do të kuptohej nëse presidenti merrte pozicion në favor të qeverisë apo të kryetarit të shtetit, ku shërbimi i tij duhet të jetë kushtetues dhe jo arbitrar. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe vendosmëria për të mbështetur prokurorinë ishte e palëkundur. -Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demostruesit, policët, gardistët e kushdo qoftë pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin. Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme. –Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikoj se do të shkojë jo mirë”, shkruan Topi.

Olldashi tregon se ndersa Luli me tregonte per biseden me Topin, e mori në telefon Sali Berisha. Po i thoshte diçka të rëndë lidhur me Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Shkuam bashkë në zyrën e tij. Dukej totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit. Berisha u hodh në sulm kundër Bamirit. Luli nuk foli. E kuptova që Basha nuk i kishte treguar që e kishte takuar Bamirin.

Për ta lehtësuar situatën, shkova në fund të zyrës ku ishte telefoni fiks dhe me autoparlant të hapur fola me badigardin e Bamirit, që e njihja qysh kur isha ministër i Brendshëm.

-Ku është ai, e pyeta?

-Në shpi shefo, më tha, pushon tani.

Berisha më pa i çuditur.

-Me kë po flet, tha?

-Me rojën e Bamirit, i thashë.

I ra tërbimi i improvizuar menjëherë dhe tundi kokën.

-Lere mos na ngatërro tani, tha. Ai ka bërë puçin.

Ishte e qartë që i duhej puçist. E kuptoi dhe Basha këtë dhe filloi të flasë.

I tregoi se ishte në takim tek Bamiri, që t’i bënte thirrje të ndalte puçin, por ai e paskësh kërcënuar dhe i kishte thënë “kujdes me letrat”.

-Ishte një version emocional, krejt i ndryshëm nga ajo që unë isha dëshmitar pak më parë, tha Olldashi.

Përpjekja e Berishës për alibi personale në prishjen e serverave

Por në retorikën e Berishës në atë mbledhje më tërhoqi vëmendjen një fakt. Ai përmendi Gjergj Lezhën. Jo me emër, por me post. Tha se kishim videot e serverit të Kryeministrisë që provonin gjithçka. Citoi për këtë sekretarin e Përgjithshëm. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në fjalimin e tij në mbledhje të qeverisë më 23 janar.

“Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”

Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar rreth orës 20:00 në mbrëmje, Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhjen dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër, pra që të kontrollojë serverin e Kryeministrisë dhe të nxjerrë andej pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të Prokurorisë.

Këtë e thoshte më 23 janar. Hëm. Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 01:00 të natës duke u gdhirë 22 janari.

Pra i bie që Gjergj Lezhja e ka marrë porosinë, ka kontrolluar pamjet filmike, është tmerruar nga ato çfarë ka parë, ka bërë një kopje, ia ka çuar Berishës në zyrë dhe kanë fshirë serverin. Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai qëllimisht flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë, që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur. Që atë ditë ai ka menduar si ta fusë në burg Gjergj Lezhën, si bedelin e parë të këtij akti kriminal. Ligësia e kësaj deklarate tani duket më e plotë. Një vit më pas, kur FBI ka sjellë ekspertizën në Tiranë dhe paraqet si problem faktin se ky server është fshirë natën e 21 janarit, shihet qartë se Berisha çdo hap drejt alibisë së tij e ka bërë me vetëdije. Siç bëjnë vrasësit profesionistë.

Kundërshtimi i gjashtë urdhër arresteve për gardistët

Një ditë më parë Ina Rama i kishte çuar ministrit të Brendshëm gjashtë urdhër- arrestesh që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës, që nga komandanti, deri tek qitësi i dyshuar për vrasës. Kryeprokurorja është detyruar t’ia bëjë më të lehtë, duke i thënë se ata thjesht do merren në pyetje dhe mund të lihen të lirë. Por asgjë nuk ka  funksionuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj, ja ka raportuar kërkesën e kryeprokurores, Sali Berishës.

Po çfarë kishte ndodhur?

Afër mesantës, kur përflitej lajmi se do arrestoheshin gardistët që kanë gjuajtur, Luli shkoi sërisht në zyrën e Olldashit, për shkak të miqësisë që ai kishte me Ina Ramën. Ina kishte folur me Sokolin dhe i kërkoi që të bisedonte paqësisht, të thërriste Prokuroria gjashtë oficerë për t’i marrë në pyetje.

-Ja thashë Lulit në një klimë tërësisht të qetë, pa tensionin e një puçi të ri, dhe ishte dakord, i kishte shpjeguar Ina, Sokol Olldashit.

-I thashë Inës të dërgonte letrën, se gjithçka ishte në rregull.

Pasi uli telefonin me ne, ajo kishte komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit. Ai kishte komunikuar direkt me Berishën dhe i kishte treguar. Berisha mori sërish Lulin dhe i tha se kryepuçistja Ina Rama kërkonte të arrestonte zinxhirin komandues të Gardës.

Luli me qetësinë më të madhe, edhe pse pak më parë kishte qenë dakord të thirreshin gjashtë ushtarakët, ia miratoi paranojën pa guxuar t’i tregojë se kishte qenë në parim dakord me atë që po bënte Ina.

Tensioni është rritur të nesërmen pasi Edi Rama ka denoncuar mos dorëzimin e gjashtë ushtarakëve të akuzuar.

Kjo i mjaftoi Berishës të akuzonte Ina Ramën si bashkëpunëtore të Edi Ramës, pasi sipas tij, i kishte treguar për refuzimin e Burgaj.

I vetmi që ka pranuar t’i dëgjojë ka qenë ambasadori amerikan. Ai ka hyrë në mes të këtij konflikti të pastër ligjor, duke inkurajuar prokuroren për hetime, por dhe duke bindur Berishën se vetë nuk është “pjesë e puçit”. Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror, dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë, ky ishte i vetmi element real i “Grushtit të shtetit” atë ditë. Atë e kishë bërë Sali Berisha.

Rezistenca e Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi dhe mbasdite, në komunikimin mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë. Drejtori Burgaj kishte gjetur zgjidhjen. Urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.

Dhe Berisha e gjeti lidhjen mes puçistëve. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në këtë mes, meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje, dhe meqë Edi Rama në mbasdite vonë kishte deklaruar se Berisha po refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë dilte që Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama kishin një plan të koordinuar. Tragji-komedi.

Formalizimi i “Grushtit të shtetit” në parlament

Të dielën në mbrëmje ai mblodhi Parlamentin në një seancë urgjente tragji-komike. Deputetët e frustruar nga ideja se mund t’u kishte ikur pushteti, filluan të flasin me zë të lartë dhe duarbosh për grusht shteti. Ilir Meta shkoi më tutje dhe i quajti kokëpalarë. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: Të terrorizonte Prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën.

Mbasditen e së dielës në seancën e posaçme në Kuvend, teza kishte avancuar. Ishte futur në listë dhe SHISH. Sipas Berishës, në zarfin që SHISH i kishte dërguar në zyrë në datën 20 janar, kishte zero informacion për “puçin”! Aq shumë ishte autosugjestionuar nga ideja se ishte para një puçi, sa tani i kërkonte dhe SHISH ta kishte parë atë ëndërr një ditë para se t’i fanepsej atij. E vuante shumë idenë se SHISH-in nuk e kishte nën kontroll. E vuante më shumë që ata raportonin më shumë tek ndonjë vend mik i Shqipërisë, se sa tek ai. Dhe ju duk rast i artë t’i hiqte qafe me këtë rast.

Para deputetëve shpjegoi qartë dhe skenarin. Foli për dy lloj zarfesh me lekë, një për transportin dhe një për “luftën. I pari kishte 10 deri 20 mijë lekë, i dyti 200 deri 300 mijë lekë. Shpjegoi se si para Dajtit ky grup kishte marrë një drogë sintetike.

“U shpërnda thuhet një lloj droge sintetike, për këtë duhet të bëhen analizat se për këtë nuk kam dijeni, u shpërndanë gurë dhe të gjitha mjetet e tjera…”.

Por edhe pse Komisioni u ngrit, edhe pse u bë kujdes të gjendeshin deputetë që nuk prishnin punë dhe nëse bëheshin qesharakë, e shihte se skenari nuk po ecte. Perëndimi po u jepte mbështetje “puçistëve” dhe ky ishte një problem i madh për të. Presidenti i Republikës dhe kryeprokurorja u bënë destinacioni i ri i diplomatëve. Berisha u tërbua dhe shpërtheu. Në një takim më 24 janar me efektivë të policisë dhe familje të tyre, iu turr me një fjalor rrugaçëror Ina Ramës dhe Bamir Topit. Të parin e quajti horr bulevardi, të dytën lavire bulevardi. Sofistikimi i tij për “puçin” kishte ecur përpara.

Argumentet pse ai nuk dorëzonte gardistët tani ishin të ndryshme nga një ditë më parë. Më 22 janar argument ishte demoralizimi i zinxhirit komandues të Gardës, më 23 janar bënte thirrje të merrej filmimi i serverit të Kryeministrisë, që vetë e kishte fshirë qysh më 21 janar dhe më 24 janar thoshte ata nuk kanë prova, dhe provë të vetme kanë rregulloren e Gardës që lë përgjegjësinë tek zinxhiri komandues. Ishte duke sulmuar “skenarin B të puçit”, që sipas tij lidhej me marrjen e pushtetit përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. Skenari A përmes armëve kishte dështuar. Në të vërtetë kishte dy skenarë, por ato ishin tek Berisha. Skenari A i tij ishte që vrasjet i bëri opozita dhe skenari B ishte që meqë u bë grusht shteti, vrasje do ketë. Siç e tha vetë në parlament dhe para policëve, në raste të tilla nuk ka rëndësi sa vriten.

“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”

I njihja thuajse gjithë deputetët e Komisionit. Dy prej tyre pak më shumë se të tjerët. Genc Strazimiri, të cilit tashmë i ka mbetur në dorë ky Komision, dukej i frustruar, por dhe i gatshëm të binte në sy. Atë e njihja më mirë se të tjerët. Njihja raportet e mosbesimit të Berishës me të dhe telashet që i ishin krijuar si zëvendësministër i Brendshëm ngaqë kishte denoncuar Kuliçin tek Berisha si njeri që lidhej me kriminelë në Fier dhe Durrës. Prej atëherë Berisha i kishte prerë vështrimin, dhe ky ndoshta i dukej një rast i artë për t’u riafruar me të. E kuptova që e kishte marrë kështu këtë shans kur dëgjova që emrin tim si gazetar puçist e lexoi ai. Qesha për herë të parë kur mendova sa do ishte kënaqur Berisha duke e parë ta lexonte emrin tim. Perversiteti i tij në këto raste shkon larg. I shijon shumë përdorimi i atyre tek të cilët nuk beson. I shijon kur i shikon duke dhënë prova besimi.

Shkova në Rogner për një kafe për t’u takuar me Andi Bushatin. Vendosëm ta merrnim me humor. Balla dhe Çakuli po ashtu.

Vizion Plus kërkoi një koment, dhe i thashë pak a shumë se nuk kam tabulate, por atë që nuk ia tregoj gruas sime, nuk jam i gatshëm t’ia tregoj gruas së Berishës. Ishte pak e tepruar si deklaratë, por fakti që ai po e bënte këtë gjest ndaj meje në emër të sulmeve që unë i kisha bërë korrupsionit të familjes së tij, ishte logjike t’i tregoja kujt i duhej përbaltja ime. Gazetari qeshi dhe iku. Çakuli bëri një gjë më me humor. Një letër të hapur shpjegonte pse dështoi puçi, dhe si e kishim organizuar. Balla dhe Bushati e injoruan tërësisht.

Por ndërsa ne qeshnim, Perëndimi e kishte marrë seriozisht. Në Bruksel u dukej skandal i madh që të na kërkoheshin tabulatet. I dërguari për krizën, Lajçak, ia kishte kërkuar këtë nga Brukseli Berishës dhe ky ia kishte bërë të vështirë. Ne po na dërgonin sinjale se kjo punë do zgjidhej. Më vinte të plasja, pasi e dija që tabulatet tona nuk kishin asnjë rëndësi. Maksimumi i duheshin Berishës tablatet e Çakulit për të parë me kë kishte folur ditët para transmetimit të videos së Ilir Metës. Ne të tjerët ishim për arsye krejt të tjera. Unë për hakmarrjet e tij primitive, Sokol Balla ngase quhej njeri i afërt i Ramës dhe gazetari kryesor i Top Channel-it, dhe Andi Bushati si një gazetar i pakompromentueshëm, që stërmundohej dhe vazhdon akoma të jetë i paanshëm, një pozicion që Berisha e urren më shumë se sa atë të gazetarit armik.

Por duket që kishin përgjuar telefonat. Ndërkohë që ne ishim në katin e katërt të “Kullave Binjake” në Bulevard, ku Berisha thoshte “aty është Shtabi i Edi Ramës”, Edi Rama nuk e kaloi dot as urën e Lanës. Ndërkohë kisha bërë një shaka banale. Një militant socialist A.K. na gjeti në katin e katërt dhe na pyeti se çfarë duhet të bëjmë.

I thashë “shko bë shurrën tek porta e Kryeminsitrisë dhe eja”. Disa muaj më vonë Fatos Lubonja në një shkrim të tij akuzonte Edi Ramën për trazirat e 21 Janarit, pasi sipas tij “dëgjonte ata që thoshin shko bëji shurrën tek porta”.

Duket se Berisha kishte sugjestionuar gazetarët që i dolën në krahë, me fakte kundër “ne puçistëve”.

Vendosëm të mos bëjmë asnjë kundërshtim për të shkuar në Komision. U konsultuam dhe për ato që do t’u thoshim deputetëve. Nuk jam i sigurt nëse na e përgjuan atë bisedë, por të nesërmen e “të vetmit plan” që bëmë kundër pushtetit, na çliruan nga akuza dhe nuk pranuan të shkonim në Komision. Ishte dështimi ynë real. Deri atë ditë nuk kishim bërë asgjë. Atë ditë që vendosëm të bëjmë diçka, na e hoqëm mundësinë.

E keqja ishte më e madhe se kaq. Mos-thirrja jonë, që ne e quanim dështim, po quhej si fitore e Perëndimit që na kishte shpëtuar nga Berisha. Në fakt Berisha kishte shpëtuar nga ne. Isha i vendosur që pak me humor dhe pak me cinizëm, të dëshmoja çfarë dija për aferat korruptive të Familjes dhe të “justifikoja” me to arsyen pse kjo qeveri duhej përmbysur qoftë dhe me dhunë, duke justifikuar kështu veten si “puçist”. Ishte një rast i artë që na u hoq nga duart falë miopisë së disa zyrtarëve perëndimorë, që u dukej sikur po na shpëtonin.

Në fakt po shpëtonin Berishën. Kishin shkëmbyer nxjerrjen tona nga skema e puçit me tolerimin e vrasjeve, kishin barazuar tabulatet e katër gazetarëve me jetët e katër të vrarëve nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, kishin zëvendësuar kuriozitetin e dy djemve të mi për lakimin e emrit në ekrane, me vajin e 8 fëmijëve jetimë që s’do t’i shikonin kurrë baballarët në shtëpi. Kishin falur dy herë Sali Berishën, një herë që po i toleronin vrasjet dhe sulmin ndaj institucioneve dhe herën e dytë që po na e hiqnin nga duart ne katër puçistëve, që së paku mund t’ia bënim “fytyrën si këpuca” siç ka qejf të thotë ai. Kishim dështuar të ushtronim të drejtën tonë si puçistë, përballë atyre që sapo shihnin kamerat, na fyenin dhe sapo iknin, na dërgonin sms se nuk kishin çfarë të bënin, kishin urdhër… Nuk kishte dështuar asnjë grusht shteti, kishim dështuar të ndalnim grushtin që Berisha po i jepte shtetit duke e marrë peng nga makthi i njeriut që kish vrarë.

Pse i vrau?

Kjo ishte një pikëpyetje e madhe jo vetëm për kundërshtarët e tij, por dhe për ata që e njihnin nga afër Berishën. Kur protesta ra, kur njerëzit thuajse ishin shpërndarë, kur policët thuajse ishin shpartalluar dhe njësitë speciale zyrtare dhe jo zyrtare të Berishës ishin brenda oborrit, u qëllua me vetëdije për t’u vrarë. U qëllua kur vdekjet nuk trembnin dhe nuk frymëzonin askënd. U qëllua kur askush thuajse nuk e mori vesh nëse ata vdiqën apo u plagosën. Askush në bulevard nuk ishte i vetëdijshëm se kishte viktima.

Pra, nuk u vra as për të trembur turmën, as për të trembur opozitën, as për të inkurajuar forcat e mbrojtjes. U vra me ligësi dhe urrejtje, u vra me burracakëri, ndërsa gjithçka po përfundonte si një demonstrim i ashpër me episode dhune të zakonshme këto për çdo protestë të tillë, ai vrau.

Tek rrija përballë dritares së zyrës së tij në “Kullat Binjake”, kur më erdhi lajmi se dy vetë kishin vdekur (i treti u njoftua pak më vonë), mu shfaq tërbimi i tij, pikërisht kur gjithçka po mbaronte. Si një njeri që nuk pranon të ketë një betejë pa bilanc, ai nuk mund të pranonte në karakterin e tij një demonstrim force nga opozita. Mijëra njerëzit e grumbulluar kundër tij, fuqia e tyre për të shpartalluar policinë me duar në xhepa, bënin kontrast të madh me krekosjen e tij publike. Nuk mund ta pranonte dot këtë.

Përfytyrova si ka thirrur “dikë të vetin” në zyrë, ka ngritur pak zërin e televizorit nga ideja se përgjohej dhe i ka dhënë shenjë të qëllonin. Pak më vonë është qëlluar. Momenti kur filloi të qëllohej mbi turmë ishte episod gati dhjetë minutash. Vetëm në ato dhjetë minuta tytat e armëve u drejtuan mbi qytetarët dhe kangjellat e Kryeministrisë janë sharruar nga brenda nga plumbat. Ata që kanë qëlluar ishin qitësa special të Gardës.

Në mendjen e tij të hallakatur dhe dalldisur nga ideja se Edi Rama i “kishte bërë rreshtore”, vërtitej ideja e hakmarrjes. Mendimi se ata mund ta përsërisnin këtë gjë vazhdimisht derisa ai të rrëzohej nga pushteti e tmerronte.

Përse SPAK duhet ta nisë me 21 Janarin?

Të gjitha këto fakte janë të provueshme. Deklaratat e Berishës janë bruto në çdo arkivë TV-je. Dhe në gazetën TemA. Deklaratat e prokurores Ina Rama janë të qarta, lidhur me prishjen e provave natën e 21 janarit në Kryeministri dhe kundërshtimin për ndalimin e gjashtë gardistëve. Veprimet për mos lejimin e prokurorëve në vendngjajre janë të dokumentuara. Pistat që Sali Berisha ka hedhur për të devijuar hetimet janë të faktuara. Komisioni Hetimor që denigroi prokuroren e Përgjithshme për ta frikësuar të hetonte është ende i gjithi gjallë.



Më të lexuarat