Sa përfaqësues i një proteste rinore është një Kuvend Kombëtar me moshë mesatare mbi 45 vjeç?

Analizë

Publikuar: 19/07/2026

Sa përfaqësues i një proteste rinore është një Kuvend Kombëtar me moshë mesatare mbi 45 vjeç?

Nga Fatos Çoçoli

Një nga tiparet që e dalloi protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë nga data 31 maji e deri më 18 korrik 2026, ishte karakteri i saj i deklaruar thellësisht paqësor dhe pjesëmarrja dërrmuese e të rinjve. Krahas të qenit 100 përqind e paqtë, protesta në javën e saj të parë ngjalli simpati e shpresë tek shumë qytetarë, pasi Kuvendi i ri i vendit që u derdh në rrugë ishte gati tërësisht rinor.

Pikërisht kjo prani dërrmuese e brezit 18–35 vjeç përbënte kapitalin më të madh moral dhe politik të protestës. Të rinjtë në të krijuan perceptimin e një mobilizimi të ri qytetar, të mbështetur mbi idealizmin, kërkesën për ndryshim dhe angazhimin vullnetar.

Për fat të keq, kjo frymë shprese dhe ndryshimi që rrezatonte protesta dhe ngjallte simpatinë e qytetarëve, mbijetoi vetëm në javën e parë të saj, ose në 10 ditët e para, duke u venitur më vonë dhe duke ia lënë vendin mësymjes së dhunshme mbi Universitetin publik Politeknik për të vënë një pankartë, vezëve mbi makina deputetësh dhe arkivolit në protestën kombëtare të 4 korrikut 2026.  

Dje, më 18 korrik 206, disa organizatorë në protestë themeluan në një mjedis të mbyllur Kuvendin Kombëtar Qytetar të protestës, me një përbërje, sipas përshkrimit të bërë publik, ku anëtarët e kuvendi kishin një moshë mesatare mbi 45 vjeç.

Kjo ngre një debat të natyrshëm mbi raportin mes bazës së protestës, fizionomisë dhe frymë së saj, me strukturën e re drejtuese të saj.

Brezi i ri ishte fytyra e protestës

Nëse do të veçohej një element që i dha identitet protestës 50 ditore sot, ai ishte pjesëmarrja e të rinjve. Ata organizuan takime, shpërndanë informacion në rrjetet sociale, morën pjesë në tubime të përditshme dhe kontribuan në ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Për shumë qytetarë, kjo ishte një nga arsyet pse protesta u perceptua ndryshe nga mobilizimet tradicionale politike.

Kur një brez investon kohën, energjinë dhe besimin e tij në një lëvizje, lind pritshmëria që ai të ketë një rol të dukshëm edhe në drejtimin e saj.

Përfaqësimi nuk është vetëm çështje simbolike

Në demokraci, përfaqësimi nuk ka të bëjë vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por edhe me mënyrën se si përbërja e strukturave drejtuese pasqyron ata që përfaqësohen.

Nëse shumica e protestuesve i përkisnin grupmoshës 18–35 vjeç, është e kuptueshme që opinioni publik të pyesë: Sa të rinj janë pjesë e Kuvendit Kombëtar? A kanë ata rol real në vendimmarrje? Ku janë studentët?  Ku janë organizatorët e ditëve të para? Ku janë aktivistët që mbajtën protestën gjallë për 49 ditë? Sa vende u janë rezervuar vajzave dhe grave të reja? Sa përfaqësues kanë profesionistët e rinj? A është përfshirë Diaspora e re? Si janë përzgjedhur anëtarët e Kuvendit?

Këto pyetje nuk përbëjnë domosdoshmërisht kritikë ndaj moshës së anëtarëve, por lidhen me standardet e përfaqësimit dhe transparencës.

Përvoja politike, profesionale apo organizative mund të jetë një aset i rëndësishëm për çdo lëvizje që synon të kalojë nga protesta, në ndërtimin e alternativave institucionale. Mirëpo, energjia, kreativiteti dhe identiteti i vetë lëvizjes si lëvizje e brezit të ri, ku përfaqësohen në këtë Kuvend Kombëtar Qytetar?

Sfida nuk është të zëvendësohet njëri brez me tjetrin, por të krijohet një ekuilibër që i jep secilit hapësirën e merituar.

Rreziku i shkëputjes nga baza

Në historinë e lëvizjeve qytetare është vërejtur shpesh një fenomen: protestat nisin nga qytetarët, ndërsa me kalimin e kohës drejtimi i tyre institucionalizohet dhe kalon në duart e një rrethi më të ngushtë drejtues. Nëse kjo ndodh pa mekanizma të qartë përfaqësimi dhe pa komunikim të vazhdueshëm me bazën, atëhere krijohet reale distanca mes atyre që kanë protestuar për ditë me radhë dhe atyre që vendosin.

Kjo distancë ndikon negativisht në besimin dhe kohezionin e protestës. Një lëvizje qytetare fiton besueshmëri, kur arrin të ndërthurë përvojën e brezave më të vjetër, me energjinë dhe pjesëmarrjen e brezit të ri. Pikërisht ky ekuilibër është shpesh një nga treguesit më të rëndësishëm të pjekurisë demokratike të një organizimi qytetar.

Shumë protesta në botë kanë kaluar nga faza spontane në fazën organizative. Por pikërisht në këtë moment shpesh lind problemi. Kur drejtimin e marrin figura më të konsoliduara politikisht ose publikisht, protesta mund të humbasë karakterin e saj fillestar qytetar. Në vend të një lëvizjeje horizontale krijohet një strukturë vertikale. Në vend të aktivizmit spontan lind burokracia.

Legjitimiteti ndërtohet përmes përfshirjes

Nëse Kuvendi Kombëtar Qytetar i themeluar dje, synon të jetë zëri politik i protestës, legjitimiteti i tij do të varet jo vetëm nga përvoja e anëtarëve, por edhe nga aftësia për të përfshirë brezin e ri, që deri tani ishte fryma, shpresa dhe aseti më i vyer i protestës.

Kalimi nga një protestë qytetare në një strukturë organizative është gjithmonë një moment vendimtar. Ai kërkon jo vetëm vizion politik, por edhe aftësinë për të ruajtur lidhjen me bazën, që e bëri të mundur ekzistencën e lëvizjes.

Nëse protesta e 31 majit–18 korrikut 2026 e ndërtoi identitetin e saj mbi pjesëmarrjen masive të të rinjve dhe karakterin thellësisht paqësor të saj, atëherë sfida e saj e ardhshme është që këto tipare të reflektohen edhe në mënyrën se si organizohet dhe drejtohet. Këtë sfidë, për fat të keq, lëvizja qytetare dje e humbi.